Transmetuar më 24-02-2018, 16:12

Nga Ylli Manjani

Deri më sot sistemet zgjedhore dhe menaxhimi i zgjedhjeve janë nisur nga parimi: stabilitet mbi demokracinë!

Pra qëllimi ka qënë të kemi qeveri të fortë dhe të mbrojtur me numra parlamentare, jo detyrimisht me vota popullore!

Pasojat janë të dukshme!

– Qeveri e kryeministra arrogantë;

– Parti politike të mbyllura rreth kryetarëve;

– Koalicionet janë tipike pazar pushteti dhe jo negociatë idesh;

– Parlamenti që nuk del dot mbi qeverinë;

– Cilësia e politikanëve dhe e politik-bërjes sa vjen e ulet;

– shteti që nuk lëviz po nuk dha urdhër ose porosi qeveria;

– Votues të ndarë me thikë jo për nga bindjet por nga interesat e çastit;

– Vlera e votës është thellësisht e pabarabartë;

E të tjera, e të tjera! Këto janë pasojat më të rënda që duken.

E gjitha kjo vjen nga sistemi zgjedhor që kemi zgjedhur!

Skema aktuale politike është edhe më e zhbalancuar për shkak të një marrëveshje PS-PD para zgjedhjeve, marrëveshje e cila doli mbi ligjin zgjedhor duke ndaluar konkurimin me Koalicione.

Kjo paligjshmëri shoqëruar dhe me blerjen masive te votave, favorizoi dukshëm projektin e Rilindjes për të sunduar e vetme!

Por le të lëmë mënjanë këtë eksperiment.

Ajo që shmanget gjithmonë kur bëhet reforma zgjedhore është: sistemi zgjedhor në funksion të përmirësimit të sistemit politik.

Mendoj se Shqipërisë politike nuk i duhet stabilitet, por demokraci!

Pra i duhet një parlament me sa më shumë parti e figura publike që votohen dhe jo individë që emërohen nga partitë për stabilitet!

Shqipërisë i duhet një Kryeministër që djersin në negociata me aleatë si për të marrë mandatin ashtu edhe për ta mbajtur atë. Dhe jo një Kryeministër që merr mandatin me ushtarë politikë dhe e bën çtë dojë! Heq edhe ndihmën e varfërisë apo lë njerëzit pa ujë si test psikologjik ndaj turmave…

Le të bjerë qeveria ca më shpesh, nuk është fundi i botës! Përkundrazi, duke shkuar më shpesh në zgjedhje do ulet edhe kapaciteti financiar i blerësve të votave… (ja dhe një zgjidhje për blerjen e votave).

Demokracia është ilaçi për çdo dhunë e arrogancë shtetërore. Si çdo ilaç edhe ajo është e hidhur, por e domosdoshme për të shëruar sëmundjet sociale që sjell politika e stabilitetit!

Çdo parti duhet të jetë konkuruese me ide e programe, jo me ushtarë e premtime për punë!

Partitë duhet të masin veten e tyre në një sistem votimi ku vota ka të njëjtën vlerë, kudo ajo hidhet! E jo të rendin tek koalicioni i radhës që paravendos fatin e zgjedhjeve pa ndodhur ende!

Koalicionet duhet të kënë kuptim vetëm në qeverisje. Ato bëhen mbi baza programesh dhe jo pazaresh.

Ka vetëm një reformë për t’u bërë: sistem proporcional kombëtar!

Nuk di zgjidhje tjetër më të mirë për më shumë demokraci dhe barazi!

Të tjerat janë probleme sekondare, krejt të zgjidhshme, nëse qëllimi i zgjedhjeve është DEMOKRACIA.

Përndryshe reformat zgjedhore janë kot! Thjesht teatri i radhës.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al