Transmetuar më 24-02-2018, 20:34

Një letër e një vajze të re 27 vjeçare u shpërnda në rrjetet sociale nga familjarët e saj pak orë më vonë pas vdekjes. Holly Butcher, një australiane që vdiq të enjten nga sarkoma e Ewing-ut, një lloj kanceri që prek kockat, kishte lënë disa këshilla para se të largohej nisur nga përvoja e saj.

“Kjo është jeta, është e brishtë, e çmuar, e paparashikuar dhe çdo ditë është dhuratë, jo një e drejtë e dhënë, – kishte shkruar Butcher.. “Ditët kalojnë dhe prêt që të tjera të mbërrijnë, derisa ndodh më e papritura. Tani jam 27 vjeç dhe nuk dua të iki. E dua jetën time!” Në mesazhin e saj e reja u kërkon njerëzve të mos stresohen nga gjëra të kota të jetës si trafiku dhe të ndërgjegjësohen se ka njerëz që kanë probleme më serioze sesa ata.

“Çlirohuni nga të gjitha ato plehra…janë pa vlerë kur e sheh jetën të tërësi. Mbushini mushkritë me ajrin e freskët australian, shikoni kaltërsinë e qiellit dhe të blertën e pemëve…mendoni sa me fat jeni që mundeni ta bëni këtë…të merrni frymë! – tha ajo. “Mos i lini të ikin përvojat sepse keni shpenzuar të gjitha paratë në plehra materiale. Shijojini dhe jetoni momentin në vend që ta kapni përmes ekranit të telefonit. Jeta nuk është e destinuar të jetohet përmes ekranit, as të realizohet fotoja perfekte. Shfrytëzojeni atë moment të mallkuar, njerëz! Mos e kapni për të tjerët, – vazhdon ajo, shkruan Bota.al. Butcher thotë se duhet të punosh për të jetuar dhe jo të jetosh për të punuar dhe këmbëngul që lexuesit e saj të dhurojnë gjak në të gjitha rastet që munden sepse falë dhurimeve të gjakut ajo kishte mundur ta zgjaste jetën e vet me një vit. “Dhurimi i gjakut…më ndihmoi të jem në jetë me një vit më shumë, një vit për të cilin do të jem gjithmonë mirënjohëse, që munda ta kaloj këtu në tokë me familjen time, miqtë dhe me qenin tim.Një vit ku pata disa nga momentet më të mira të jetës sime!”