Transmetuar më 05-03-2018, 08:28

Lëvizja 5 Yje e Luigi Di Maio, ka dalë forca e parë politike në zgjedhjet e së dielës në Itali. Me rezultatin e deritanishëm, koalicioni i qendrës së djathtë del fitues, ndërsa Partia Demokratike ka pësuar një humbje të thellë.

Megjithatë, asnjë forcë politike, nuk ka marrë numrin e duhur të votave për të qeverisur e vetme.

Në votimin e kësaj të diele, italianët zgjodhën deputetët dhe senatorët e rinj.

Për dhomën e deputetëve morën pjesë në votime 72.93% e italianëve me të drejtë vote mbi moshën 18 vjeç. Ndërkohë për dhomën e senatit votuan 73.05% e italianëve me moshë mbi 25 vjeç.

Deri më tani janë numëruar afro 62% e kutive të votimit, ku Lëvizja 5 Yjet, ka marrë 31% të votave për dhomën e deputetëve dhe 31.04% për dhomën e senatit.

Ndërkohë Partia Demokratike e Matteo Renzit, ka marrë 19.62% të votave për dhomën e senatit dhe për dhomën e deputetëve 19.35%.

Partia Lidhja e Veriut, e Matteo Salvinit ka marrë 18.41% për dhomën e senatit dhe 18.33% për dhomën e deputetëve.

Forca Italia e Silvio Berlusconit ka marrë 14.25% të votave për dhomën e senatit dhe 13.85% për dhomën e deputetëve.

Lëvizja 5 Yje është e vetmja forcë politike e cila ka garuar e vetme në këto zgjedhje pa qenë pjesë e asnjë koalicioni, ndërkohë që e djathta italiane ka rezultuar si koalicion fitues deri më tani.

Por nuk dihet ende se si do të shkojë fati i krijimit të qeverisë italiane, pasi kodi elektoral parashikon që forca fituese duhet të ketë marrë mbi 40% të votave, gjë që deri më tani asnjë parti nuk e ka arritur. /a.y/noa.al