Transmetuar më 08-03-2018, 12:40

Gjykata Administrative vendos rrëzimin e padisë së Rovena Gashit ndaj kryeprokures Arta Marku. Gjykata ka vlerësuar se urdhri i Arta Markut për lirimin nga detyra të Rovena Gashit nga drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë është i ligjshëm dhe në përputhje me kompetencat e saj si Prokurore e Përgjithshme.

Rovena Gashi në padinë e saj kundërshtonte urdhrin e lirimit të saj nga pozicioni i Drejtorit të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë. Këtë urdhër lirimi Gashi e quan "të pavlefshëm" dhe kërkon pezullimin.

Në rreshtat e padisë Rovena Gashi zbulon se lirimi i saj nga detyra është bërë pasi kërkoi ndërprerjen e mandatit për Aqif Rakipin dhe Gledion Rehovicën.

Avokati i Rovena Gashit, Çlirim Gjata disa ditë më parë  ka deklaruar se shkarkimi nga Marku është bërë pa motivacion.

“Urdhri për lirimin nga detyra e Rovena Gashit nuk ka motivacion.Urdhri për lirimin nga drejtore e dekriminalizimit është nxjerrë jashtë kompetencës, i pa mbështetur në ligj dhe pa motivacion. Prokurori i përgjithshëm i përkohshëm si ka këto kompetenca. Arta Marku nuk kishte miratuar strukturë të re. Gjithçka ishte sipas strukturës që kishte lënë Llalla. Procedimet disiplinore i bën Inspektorati i Lartë i Drejtësisë”, deklaroi ai.

Më 29 dhjetor 2017, dy javë pasi mori detyrën në krye të organit të akuzës Prokurorja e Përkohshme Arta Marku firmosi largimin e Drejtoreshes se Marrëdhënieve me Jashtë dhe e sektorit të dekriminalizimit Rovena Gashi./b.l/noa.al/