Transmetuar më 08-03-2018, 13:22

“Arrest shtëpie” është masa e sigurisë e vendosur ditën e sotme nga Gjykata e Tiranës, për ish-pronarin e Universitetit “Kristal”, Ahmet Muçaj, i arrestuar dy ditë më parë, nën akuzën e lëshimit të diplomave false edhe pas mbylljes së Universitetit.

Edhe Prokuroria kërkoi që Muçaj të hetohet në arrest shtëpie, për shkak se është mbi 70 vjeç, por edhe për shkak të veprës penale për të cilën akuzohet.

Ahmet Muçaj, u vu në pranga këtë të martë, në sajë të bashkëpunimit me Prokurorinë të një vajze të re, e cila kërkonte diplomë drejtësie. Më konkretisht, Muçaj u prangos teksa po merrte 1500 euro nga një vajzë nga Laçi.

Nëpërmjet një sekseri, e reja ka takuar Muçaj, duke i kërkuar një diplomë, ku si kapar ka paguar 1 mijë euro, ndërsa në momentin që do merrte diplomën do ti jepte dhe 1500 të tjera. Por pikërisht teksa kishin lënë takimin për dorëzimin e diplomës, Muçaj është arrestuar në kushtet e flagrancës teksa po merrte paratë. Sakaq në kërkim është shpallur sekseri me iniciale E.P.

Edhe pse Universiteti ishte mbyllur, Muçaj kishte ruajtur numrat e amzës të marrë para vitit 2012 kur iu pezullua licenca dhe me numrat e mbetura bosh, ai pajiste me diploma persona të ndryshëm përkundër pagesës.

Edhe vajza nga Laçi e moshës 30-vjeçare, diplomën që do të merrte, do ta merrte për periudhën kohore 2010-2013. Sa i takon firmës së ish-dekanit, mendohet se ajo është e falsifikuar.

Në kuadër të hetimeve Drejtoria e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, arrestuan në flagrance shtetasin Ahmet Muçaj, ish-administrator i Universitetit “Kristal”, për veprën penale “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”. Prokuroria tha se ai u kap në kushtet e flagrancës duke i dorëzuar një shtetaseje një diplomë të nivelit “Bachelor”, dega Drejtësi, kundrejt marrjes së një vlere monetare. /a.y/noa.al

Diplomat false të universitetit “Kristal”, reagon ministria e Arsimit

Si u arrestua ish-pronari i “Kristal”, vajza që i bëri “gropën”

Si u arrestua ish-pronari i “Kristalit”, po i dorëzonte diplomën një vajze

Pse u arrestua “Meti i Kristalit”, çfarë zbuluan hetimet

Arrestohet ish-pronari i Universitetit “Kristal”, akuzat që rëndojnë ndaj tij