Transmetuar më 08-03-2018, 22:11

Astrit Patozi e përjashton mundësinë që pas vendimeve të Lulzim Bashës, për hartimin e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar dhe të tjerave që pasuan qëndron Sali Berisha.

“Unë Sali Berishën e gjykoj nga veprimet. Ai në 2013 ka dhënë dorëheqjen dhe ka thënë që “unë nuk jam pjesë e vendimeve të rëndësishme të Partisë Demokratike dhe nuk bëj pjesë në debatin e brendshëm”, deklaroi Patozi në "TPZ".

Sot, Astrit Patozi është edhe më i bindur se Lulzim Basha nuk është njeriu që mund të bashkojë partinë. Ai rendit tri arsye.

“Së pari, nuk do që ta kryejë këtë proces, sepse veprimet që ka bërë i ka të qëllimshme. Së dyi, nuk di dhe së treti e ka të pamundur ta bëjë. Basha është përgjegjësi që PD gjendet në këtë katandisje sot. Një njeri që ka bërë çarjen, e ka të vështirë për të bërë bashkimin. Sot PD ka krizë politike dhe jo burokratike. Basha kërkon ta bunkerizojë akoma edhe më shumë partinë dhe do të shkojë në një kongres të parakohshëm”, deklaroi ai.

 Krah Patozit, në panel këtë të enjte ishte ulur edhe Genc Ruli. Ruli tha se Basha e ka dobësuar PD-në.

“PD në vend të bashkohet është sfilitur. Është një PD shumë më vogël seç ka qenë dikur, edhe pse është parti e dytë, nuk ndikon fare në procesin politik sot”, tha ai.

Marrëveshjen e Bashës me Ramën, Genc Ruli e quan “paaftësi” të kreut të PD-së për të ardhur në pushtet.

“Ka zgjedhur kompromisin dhe e tregoi me marrëveshjen e majit. Ajo marrëveshje sot vazhdon dhe është akoma më e fortë dhe do të ketë edhe të tjera”, deklaron Ruli.