Transmetuar më 04-04-2018, 12:25

Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Pal Lekaj ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, lidhur me tarifën për Rrugën e Kombit.

“Në takim me ambasadorin Qemal Minxhozi diskutuam zhvillimet e fundit në dy vendet tona, me theks të veçantë për çështjen e taksës rrugore për të cilën e rithkesova papajtueshmërinë tonë me çmimin dhe mënyrën se si është marrë ky vendim për njërën nga arteriet kryesore të lidhjes ndërshqiptare, që është “Rruga e Kombit”, shkruan Lekaj në Facebook.

Ai bën me dije se u diskutua edhe letra zyrtare me të cilën thotë se i është drejtuar Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe për mungesën e përgjigjes në këtë letër.

Lekaj thotë ishte dakordim i dyanshëm që hapat e mëtutjeshëm të bëhen me dakordancë të plotë.

“Shqipërisë dhe Kosovës si dy vende vëllazërore ju duhen marrëdhënie me influencë pozitive për zhvillimin e gjithëmbarshëm”, thotë ndër të tjera ministri i Kosovës. /a.y/noa.al