Transmetuar më 09-04-2018, 19:52

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, duke iu përgjigjur deklaratave të presidentit Thaçi, të bëra sot në përvjetorin  Betejës së Koshares, tha se “Serbia po bën politikë paqeje e jo të pushkës dhe armëve”. Ndaj deklaratave të Thaçit kanë reaguar edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë serbë.

“Nuk më pëlqen të merrem me pushkë dhe me armë, si Thaçi. Le ta bëjë ai. Por, nuk e shkatërruan pushkët e Thaçit Serbinë, por disa avionë. Dhe e jona është të bëjmë politikë të paqes”, u tha Vuçiq gazetarëve në Mostar, raporton "Al Jazeera".

Thaçi tha sot se ndaj kërcënimeve të Serbisë do t’iu përgjigjen në të njëjtën mënyrë, si 19 vjet më parë.

“Edhe sot Kosova dhe rajoni ballafaqohen me sfida. Kosova nganjëherë po ballafaqohet edhe me kërcënime të drejtpërdrejta të Beogradit, por edhe sot nga Kosharja përgjigja e shtetit të Kosovës është e qartë.

Çdo kërcënimi do t’i përgjigjemi siç ju kemi përgjigjur edhe më herët për largimin e çdo pretendimi kërcënues nga Serbia dhe kushdo tjetër”, tha Thaçi, në manifestimin e 19-vjetorit të Betejës së Koshares.

Sipas presidentit serb,  me kujdes duhet të lexohet deklarata e Thaçit, ku thotë se “19 vjet më parë është hequr përgjithmonë kufiri mes dy vendeve të popullit shqiptar”. /k.k/noa.al/