Transmetuar më 19-04-2018, 11:12

Arrestohet në Kosovë autori i dyshuar për vrasjen e 28-vjeçarit Mario Majollari në Tiranë.

Mediat e Kosovës bëjnë me dije se i shpalluri në kërkim nga policia e Tiranës, 40-vjeçari Kastriot Gjuzi është vënë në pranga, teksa ka tentuar të futet në Kosovë, përmes pikës kufitare të Vërmicës.

Ai akuzohet për krimin e ndodhur më 12 prill, ku ekzekutoi të riun për hakmarrje, pasi babai i viktimës Avni Majollari kishte vrarë dy persona në vitin 2000.

Një nga viktimat e ngjarjes së vitit 2000 ka qenë edhe Ilir Gjuzi, vëllai i Kastriot Gjuzit.

Nga hetimet e policisë, ka rezultuar se Kastriot Gjuzi i është vënë në ndjekje të riut dhe në një rrugicë të errët, pranë banesës ku jetonte bashkë me motrën dhe të ëmën në zonën e ish-Kinostudios, e ka qëlluar për vdekje me tre plumba. 

Mario Majollari prej kohësh ndihej i kërcënuar për krimin që babi i tij kishte kryer, ndaj dhe për këtë kishte vendosur para tre vitesh të shkonte drejt Suedisë për të kërkuar azil.

Ai ishte larguar nga Shqipëria në vitin 2015 për të kërkuar azil në Suedi, pasi pretendonte se ishte kërcënuar për hakmarrje, për shkak të vrasjes së dy personave nga i ati.

Megjithatë rezulton se i ndjeri nuk ka precedentë penalë dhe fqinjët flasin për një njeri të qetë dhe aspak problematik.

Madje ai ishte rritur larg të atit, për shkak të divorcit mes prindërve të tij, ndarje e ndodhur kur ai ishte vetëm 3 vjeç.

Babai i 28-vjeçarit, Avni Majollari, u arrestua në mars të vitit 2014, ndërsa për vite me radhë kishte jetuar në arrati. /a.y/noa.al