Transmetuar më 19-04-2018, 12:59

Dita e Pavarësisë së Izraelit në Tiranë u festua me përurimin e kopshtit të miqësisë Shqipëri-Izrael, ku Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Izraelit mbollën 70 fidanë të rinj, në shenjë miqësie mes dy popujve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori i Izraelit, Boaz Rodkin dhe kryetarja e grupit parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Izrael, Blerina Gjylameti, iu bashkuan aksionit të mbjelljes së pemëve dhe zbuluan një pllakatë në shenjë përkujtimi.

Teksa uroi Ditën e Pavarësisë, kryebashkiaku Veliaj tha se shembulli i Izraelit është jashtëzakonisht frymëzues dhe tregues se kur njerëzit bëhen bashkë për një qëllim, mund të bëjnë gjëra të mrekullueshme.

“Përkujtojmë në mënyrë shumë origjinale 70-vjetorin e kombit të Izraelit dhe për këdo që e ka vizituar e ka parë se si kur njerëzit bëhen bashkë për një qëllim, mund të bëjnë gjëra të mrekullueshme. Edhe nga një tokë në shkretëtirë, mund të bëjnë një histori suksesi. Për ne shembulli i Izraelit është jashtëzakonisht frymëzues. Nuk kish mënyrë më të bukur për ta festuar 70-vjetorin e pavarësisë së Izraelit, se sa duke mbjellë 70 pemë”, tha Veliaj.

Ambasadori i Izraelit në vendin tonë, Boaz Rodkin, falenderoi Bashkinë e Tiranës dhe grupin e miqësisë Izrael-Shqipëri për kujdesin e treguar në kremtimin e kësaj feste, ndërsa theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve tona, në shenjë edhe të miqësisë mes dy popujve, do vazhdojë me projekte konkrete.

“Para se të fillojmë vitin e ri shkollor, do të rinovojmë me bashkinë një nga shkollat e Tiranës dhe gjithashtu, vendosëm të rreshtohemi në krah të bashkisë në përpjekjen për ta bërë këtë qytet më të gjelbër, duke mbjellë 70 pemë sot”, tha ambasadori.

Veliaj nënvizoi se teksa Shqipëria nis një fazë të re të integrimit në familjen europiane, nevojitet një angazhim dhe energji e përbashkët për të vijuar progresin dhe zhvillimin e vendit.

“Po të bëhemi bashkë dhe të punojmë për një qëllim, mund të bëjmë çudira dhe nga situata që kemi trashëguar në vendin tonë. Sot jemi shërbëtorë dhe administratorë të kësaj cope të atdheut dhe mundohemi që të gjithë të fokusuar në një qëllim, të kemi energji të përbashkët për progres, për modernizim dhe zhvillimin e vendit tonë”, u shpreh Veliaj, duke vlerësuar nismën e Ambasadës së Izraelit për mbjelljen e pemëve.

Kryebashkiaku tha se mbrojtja që populli shqiptar tregoi gjatë Luftës së Dytë Botërore ndaj popullit të Izraelit na bën krenar dhe apeloi që edhe brezat e ardhshëm të investohen më tej në forcimin e frymës së tolerancës dhe të miqësisë. /a.y/noa.al