Transmetuar më 19-04-2018, 13:22

Nuk u mjaftua vetëm me reagimin jashtë sallës së Parlamentit, ku lëshoi deklarata të forta, që i ngjanin paralajmërimeve.

Tashmë ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook ka vijuar sulmin, ndërsa shpjegoi edhe arsyen e pranisë së tij sot në Kuvend, pas bojkotit prej 6 muajsh.

“Kur gjyqin moral ta bën djalli…kështu quhet ajo që dëgjoj çdo ditë nga goja e kujt ka qeverisur 25 vjet duke vrarë e duke vjedhur për pushtet.

Pas thuajse 6 muajsh, shkova ne Parlament. Kush e ka marrë heshtjen time për dorëzim, është gabuar. Është vetëm respekt për drejtësinë. Këtë rrugë do ndjek me durim”, shkruan Tahiri.

Po ashtu Tahiri i cili po hetohet në lidhje me faktin nëse ai ka bashkëpunuar me grupin e drogës "Habilaj", shpjegoi se deklaratat e tij nuk janë mesazhe të koduara për dikë. Ai tha se e vetmja gjë që i intereson është e vërteta dhe drejtësia.

“Ndërsa me këtë historinë e mesazheve të koduara që lëshokam unë, bjerini shkurt. As më duhet ti çoj mesazh njeriu. Dhe po të kem, jam nga ata që i bën drejtpërdrejtë. Më intereson vetëm e vërteta dhe drejtësia, askush e asgjë tjetër. E nuk do ndalem”, shton Tahiri./b.l/noa.al/