Transmetuar më 19-04-2018, 19:15

Qeveria e Kosovës miratoi të enjten një platformë për periudhën përmbyllëse të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që është edhe kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.

Në platformën tetë pikëshe thuhet se Kosova pret që përfundimi i bisedimeve të çojë në njohje të ndërsjellë duke respektuar sovranitetin dhe tërësinë tokësore, anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, përkrahjen dhe garantimin e zbatimit të marrëveshjes nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në platformë theksohet se bisedimet do të udhëhiqen nga presidenti i vendit dhe një delegacion që pritet të përbëhet nga i gjithë spektri politik ndërsa Parlamenti i Kosovës pritet të jetë autoriteti i lartë i cili do të ratifikojë marrëveshjen ligjore ndërkombëtarisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se platforma siguron proces transparent e gjithëpërfshirës ndërsa synon të jetë qëndrim i përbashkët i institucioneve ndaj këtij procesi. Ai tha se platforma do të dërgohet për diskutim dhe miratim në Parlamentin e Kosovës.

“Besoj që nga të gjitha reflektimet që kemi ka ardhur koha që qeveria e Kosovës t’i propozojë parlamentit një platformë për dialogun final, platformë të cilën deputetët e vendit mund ta votojnë si rezolutë, pra ta fuqizojnë si rezolutë. Ky është një material që u mundëson deputetëve të vendit dhe parlamentit, partive politike dhe të gjithëve të kontribuojnë me pikëpamjet e veta, ata nuk do të ishte mirë ta tjetërsojnë këtë, pra institucionet e Kosovës duhet ta kenë një bazë për të përfaqësuar Kosovën”, tha kryeministri Haradinaj.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se qëllimi i platformës është krijimi i një uniteti institucional dhe partiak për periudhën e fundit të bisedimeve me Serbinë.

“Ne si qeveri kërkojmë që të kemi një mekanizëm politik se si të përfaqësohemi në një proces të tillë të dialogut dhe ma merr mendja që është një ftesë për të gjitha partitë politike në pushtet dhe opozitë që të jenë pjesë të procesit”, tha zoti Hoxhaj.

Një platformë e tillë po hartohet për herë të parë në Kosovë dhe sipas autoriteteve është shumë e rëndësishme për arritjen e një konsensusi partiak në Kosovë, në kohën kur vendi pritet të përballet me shumë sfida që dalin nga bisedimet me Serbinë, posaçërisht me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në fillim të këtij muaji autoritetet në Kosovë thanë se kanë vënë në veprim ekipin që do të hartojë statutin e këtij asociacioni, i cili sipas tyre nuk do të ketë përgjegjësi ekzekutive dhe bazohet në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese e cila kishte thënë se marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dëmton shtetin e Kosovës.

Por, me këtë nuk pajtohen Beogradi dhe serbët e Kosovës të cilët kërkojnë që asociacioni të themelohet në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Thirrje për themelimin e asociacionit janë bërë edhe në raportin e Komisionit Evropian për përparimin e Kosovës në të cilin kërkohet thellim i angazhimit në bisedimet me Serbinë.

Kosova e Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për më shumë se shtatë vjet dhe Bashkimi Evropian kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që duhet të arrihet mundësisht para zgjedhjeve evropiane të vitit të ardhshëm.