Transmetuar më 19-04-2018, 20:09

Ftesa e Edi Ramës për Lulzim Bashën është një "dhuratë greke". Kështu u shpreh deputeti demokrat, Luçiano Boçi.

Për demokratët, kjo lëvizje e Ramës është një përpjekje për t’i ngritur kurth opozitës dhe lidershipit të saj për të kapitalizuar politikisht veten e tij.

Boçi thotë se Rama duhet të kishte ndërmarrë veprime konkrete nëse do të donte të bashkëpunonte me opozitën, duke arrestuar ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, policët e korruptuar dhe kokat e krimit.

"Z.Rama nuk është zgjedhur para një jave kryeministër, por si ftesë është "dhurata greke" e radhës e Ramës. Është një thënie latine që i ka rezistuar kohës kur tjetri bën një dhuratë kur ka një tradhti të vogël që përkthehet në pasojë.

Rama është i pabesueshëm, një kryeministër që luan keq në fushën e madhe të politikës, i pëlqen loja me porta të vogla dhe çdo situatë kërkon ta kapitalizojë në favorin e vet. Rama është tashmë politikan i zbuluar në formatin e tij, krejtësisht i pabesë.

Këto ftesa, ftesa literale t’i kishte bërë në mënyrë konkrete, kishte kohë të arrestonte ministrin e Brendshëm, policët e korruptuar dhe kriminelët. Kishte kohë të bënte reformën zgjedhore duke marrë në shqyrtim kërkesat e opozitës. Por ajo që bën është glorifikimi i vetvetes", tha Boçi në Report Tv.

Duke komentuar rekomandimin e KE për çeljen e negociatave, deputeti demokrat tha se PD ka qenë dhe mbetet promotore e integrimit të Shqipërisë në BE.

"Ka qenë PD ajo që i dha shtysë marrëveshjes së stabilizim-asociimit. Ka qenë PD që liberalizoi vizat dhe futi Shqipërinë në NATO dhe bëri gati marrjen e statusit të vendit kandidat që u pengua nga kryeministri i sotëm.

Vetëm dy ditë përpara Basha ka bërë takime në Bundestag, me përfaqëuses të shtetit gjerman, të partive popullore që Shqipërisë t’i hapen negociatat. Opozita e ka treguar jo vetëm më historinë por edhe me angazhimin real", u shpreh ai.