Transmetuar më 19-04-2018, 21:23

Historia e vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës mbyllet me lirimin e dy personave të vënë nën akuzë.

Gjykata i dha lirinë dy ditë më parë Dëfrim Hakramën dhe Edmond Kollarin.

Në fund të procesit, gjykata vlerësoi se nuk ka prova që fajësojnë këta persona në vdekjen e 17-vjeçarit, trupi i të cilit u gjet i dëmtuar rëndë dy ditë pas ngjarjes.

Adoleshenti u godit nga makina që kryente shkarkimin e mbetjeve. Punonjësit e kompanisë deklaruan se as që e kanë parë atë që ka ndodhur. Sipas tyre, ngjarja ka qenë aksidentale dhe trupi u mbulua nga mbeturinat.

Kjo ngjarje e ndodhur në verën e vitit 2016 u politizua pasi opozita akuzonte kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj për favorizimin e kompanisë që administronte biznesin e mbetjeve.

Në pranga në atë kohë u vunë administratori i kompanisës “3R”, Dëfrim Hakrama dhe drejtuesi i mjetit të mbetjeve Edmond Kollari. Tashmë, të dy këta shtetas janë liruar nga akuzat./a.m./noa.al/