Transmetuar më 19-04-2018, 21:52

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është shprehur se prej gjashtë muaj po i bëhet gjyqi politik, ndërsa ka heshtur në respekt të drejtësisë.

Tahiri tha se tashmë ka ardhur koha për të folur, pasi beson në vërtetësinë e fakteve.

"Unë s’e kuptoj se pse kërkoni faj në arsyen se pse unë shkoj në Kuvend apo kam kërcënuar Edi Ramën. Nuk e kam në kulturë një gjë të tillë. Është e drejta ime që të marr fjalën për të gjithë këta muaj që kam qëndruar në heshtje.

Unë do vazhdoj të dëgjoj, siç kam dëgjuar Lulin dhe Saliun. Për hir të respektit të drejtësisë, pasi jam nën hetim. Por kjo nuk do të thotë se Saliu dhe Luli do më bëjnë gjyqin moral. Unë kam të drejtën time të flas dhe kam bërë vetëm kaq.

Nëse unë jam një bir nëne që kam gjashtë muaj që duroj lloj – lloj akuzash dhe shpifje në kurrizin tim. Ndërsa nga ana tjetër ka shumë lloj – lloj bij kurvash në daç po ta them që vuajnë varfërinë e këtij vendi", tha Tahiri në "Opinion".

Kjo është e dyta herë që Tahiri, ka përdorur shprehjet e kryeministrit Edi Rama për të reaguar në media.

“Nuk ka bir nënë dhe bir kurve që të më pengojë mua që të bëj drejtësi”, u shpreh sot Tahiri në dalje të parlamentit.

Herë e parë ishte kur Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij, dhe në një dalje për mediat para se Këshilli i Mandateve të mblidhej për të vendosur për të, Tahiri u shpreh se “nuk keni parë gjë akoma”.