Transmetuar më 19-04-2018, 22:44

Taksimi i Rrugës së Kombit ka shkaktuar debat të madh qytetar dhe politik. Njëmbëdhjetë qytetarë nga Kukësi ndodhen në “arrest me burg” pasi u arrestuan për protestat e dhunshme në Rrugën e Kombit.

Njëmbëdhjetë qytetarë nga Kukësi ndodhen në “arrest me burg” pasi u arrestuan për protestat e dhunshme në Rrugën e Kombit. Ata kundërshtojnë tarifën 5 Euro për kalimin në këtë aks, teksa kërkojnë një çmim më të ulët.

Deputetja e Partisë Socialiste për qarkun e Kukësit, Mimi Kodheli e ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan foli lidhur me këtë temë. Ajo tha se nuk ka qenë dakort që tarifa të ishte aq e lartë për banorët e Kukësit, ndërkohë që shtoi se tashmë kjo tarifë po rishikohet, shkruan tvklan.al.

“Dy javë më parë unë kam patur një diskutim me një tonalitet jo të zakonshëm lidhur me këtë gjë duke rikthyer në kujtesën e politkës se sa pak vëmendje ka patur veriu i Shqipërisë gjithë këto kohë. Di që kjo gjë po rishikohet. Unë kam qenë e opinionit që kjo tarifë të mos ishte kaq e lartë sa është vendosur për banorët e Kuksit.

Ne duhet të fillojmë të mësohemi që t’i paguajmë tarifat dhe taksat sepse ne vijmë nga një mentalitet i para viteve ‘90 që nuk paguajmë tarifa. Tani jemi në një sistem tjetër të ekonomisë së tregut ku padyshim shumëçka ka ndryshuar dhe duhet të ndryshojë edhe ky mentalitet. Por, insistoj që tarifa duhet të rishikohet nga qeveria për banorët e Kukësit.

Unë jam i vetmi deputet në Parlamentin e Shqipërisë që përfaqësoj gjithë Qarkun, nuk ka asnjë tjetër që mbulon një qark të tërë. Detyra ime ka qenë e vështirë sepse më duhet të mbuloj gjithë Qarkun, ndaj edhe sensibiliteti im ishte i tillë edhe për këtë fakt, por kjo nuk i heq asgjë sensibilitetit të të gjithë deputetëve. Një ditë përpara fjalës time në parlament ka patur një mbledhje nga Komisioni Ekonomisë të cilët kanë dalë me një sërë kërkesash për rishikimin e tarifës së rrugës Durrës-Kukës”. tha Kodheli.

Ajo është një prej figurave politike më të njohura në Shqipëri.

Bëhet fjalë për politikanen Mimi Kodheli e cila ishte sot e ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan ku ndryshe nga herë të tjera foli për jetën private. Gjatë emisionit politikanes i rikujtuan faqen e parë të ditarit të të atit, i cili e kishte shkruar ditën e parë që ajo kishte lindur. Fjalët e tij kanë prekur Kodhelin e cila e emocionuar dhe me zërin që i dridhej nuk mundi t’i mbajë dot lotët.

“Kujto, gjithmonë kujto se jeta është një luftë në të cilën fiton herët a vonë ai që është i ndershëm, i drejtë dhe punëtor”, këto ishin fjalët me të cilat babai i politikanes mbyllte faqen e parë të ditarit kushtuar të bijës.

“Babai im ishte një djalë shumë vizionar dhe mendjehapur edhe pse jetonte në një epokë të vështirë. Unë kam patur një lidhje shumë të veçantë me të edhe ajo gjë që s’mund të kaloj pa u vënë re është ajo që ai thotë në fund: “Kujto, gjithmonë kujto se jeta është një luftë në të cilën fiton herët a vonë ai që është i ndershëm i drejtë dhe punëtor”. Kjo është edukata që familja më ka dhënë. Kërkoj ndjesë për prekjen, por ai është larguar herët nga jeta dhe nuk mund të mos mallëngjehem sa herë bëhet fjalë për të. Ai është larguar në moshën 54-vjeçare, në atë kohë unë e kam patur djalin 4 muajsh dhe ai sot është 28 vjeç. Edhe pse nuk është më, ai rri tek unë çdo ditë, fle tek unë çdo ditë dhe më korrigjon kur gaboj dhe është gjithmonë drita jeshile në tunelin ku unë futem. Ai është drita ime dhe ka ndikuar në shumëçka unë jam.

Edukata që më kanë dhënë ma ka bërë më të thjeshtë jetën dhe karrierën dhe më duhet të jem falënderuese deri në vdekje atij dhe mamasë time”, tha Kodheli.