Transmetuar më 20-04-2018, 20:02

Java që po mbyllet, shqetësoi shumë njerëz teksa ndaleshin në pikat e karburantit me shenjën Gulf, duke tentuar të blejnë karburant me pagesë cash ose hollona të shpërndara nga kompania.

Pikat e shitjes janë mbyllur dhe asnjë njoftim publik nuk është bërë.

Qytetarët dhe bizneset janë gjendur përballë faktit të kryer.

NOA tentoi të komunikojë me telefonin e publikuar në faqen zyrtare të Gulf por kjo ishte e pamundur.

Redaksia kërkoi shpjegime në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe mësoi se Gulf ka ndërprerë aktivitetin, administratori i saj ka dhënë dorëheqjen dhe zyrat tatimore kanë kërkuar që të mos lejohet tjetërsimi i aseteve të kompanisë me qëllim që të vjelë debitet financiare të pashlyera.

Por në pronësi të kujt është Gulf në Shqipëri?

faqen e saj zyrtare thuhet se Gulf, si markë ndërkombëtare përfaqësohet në Shqipëri nga “Sun Petroleum Albania Trading” SH.A ku Universal Enery Group u bë ortak më 2015 dhe “Sun Petroleum Albania” SH.P.K që prej Tetorit 2013. Nga 17 shkurti 2014, ortaku i vetëm Dory Grosman ia shiti aksionet, kompanisë Universal Enery Group LLC.

E njëjta gjë ndodhi edhe me “Sun Petroleum Albania” SH.P.K, të cilën po ashtu, Dory Grosman ia shiti tërësisht kompanisë Universal Enery Group LLC më 18 mars 2015.

Një ditë më parë (19 prill 2018), administratori Irakli Svanidze ka deklaruar se jep dorëheqjen nga detyra e shoqërisë Sun Petroleum Albania shpk. Për këtë, ai ka njoftuar edhe ortakun Universal Energy Group.

Në fakt, Irakli Svanidze e ka njoftuar me shkresën që NOA disponon, që më 9 prill, ortakun Universal Energy Group duke i kujtuar edhe se në mbledhjen e asamblesë së ortakëve të 16 prill 2018 të vendoset për administrator të ri.

Nuk dihet nëse kjo mbledhje është mbajtur dhe nëse po, çfarë është vendosur.

Irakli Svanidze, rezulton jo vetëm administrator i Sun Petroleum Albania shpk, por edhe i shoqërisë aksionere Sun Petroleum Albania Trading, nga 14/12/2016 deri më 14/12/2018.

Po ashtu, Irakli Svanidze, një shtetas gjeorgjian, rezultonte më herët edhe administrator i shoqërisë “Puntocall” sh.p.k, ku ishte ortak i vetëm. Në maj 2017 ai kërkoi të likujdojë kompaninë dhe kjo u realizua pak javë më vonë më 29 maj.

Kurse sot (20 prill), ka nisur veprimi tatimor ndaj Gulf.

Drejtoria Rajonale Tatimore Korçë ka urdhëruar të mos lejohet tjetërsimi mbi pasurinë dhe të drejtat pasurore per subjektin Sun Petroleum Albania me NUIS (NIPT) L32112012M, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve tatimore.

Për këtë është marrë dhe një vendim gjykate i cili nuk ishte i aksesueshëm në QKB.

Në këto kushte, nuk është e qartë se çfarë do të bëhet me Gulf.

Sakaq kanë nisur dhe zërat për atë çfarë ka ndodhur me Gulf. Punonjës të saj thonë se kanë rreth dy muaj pa u paguar duke shtuar se situata nuk ka ndryshuar.

Ndërkohë klientët e shprehin qartë shqetësimin e tyre në faqen e Facebook të Gulf.

NOA ju sjell më poshtë disa reagime të tyre.

Ajo që mbetet e paqartë në këtë histori, është pse kompania vazhdonte të promovonte aktivitetin sidomos përmes lotarive ku ftonte të bliheshin tollona që të përfitonin çmim më të ulët.

Disa biznese paraqiten dukshëm të dëmtuara deri tani pasi kanë marrë përmes marrëveshjesh shkëmbimi ose rrugë të tjera të ligjshme, mijëra litra karburant të cilat tani nuk mund t’i shfrytëzojnë.

Se çfarë do të ndodhë me këto vlera, asgjë nuk dihet.

Asnjë zyrtar shtetëror nuk jep informacion dhe asnjë dalje publike nuk ka prej kompanisë dhe prej zyrtarëve të shtetit që të informojnë qytetarët mbi këtë që ka ndodhur. A shënon kjo, një tjetër papërgjegjshmëri të radhës nga ana e shtetit shqiptar? /noa.al/