Transmetuar më 23-04-2018, 12:17

Ndarja e parakohshme nga jeta e DJ të famshëm suedez Avicii, ka tronditur të gjithë fansat e tij në mbarë botën. Tim Bergling ndërroi jetë papritur ditën e premte në Oman. 

Për ndarjen e parakohshme të tij nga jeta u bënë dy autopsi të pavarura nga njëra-tjetra për të zbuluar shkaqet reale të saj.

Dy raportet e autopsive janë tashmë publike dhe Agjencia Franceze – Presse raporton se nuk ka asnjë shenjë që mund të vërtetojë dyshimet për një krim të mundshëm.

"Dy autopsi u realizuan me një diferencë prej një dite nga njëra-tjetra dhe mund të konfirmojmë se nuk ka asnjë shenjë kriminale për ndarjen e tij nga jeta", deklaroi një përfaqësues i ligjit në Oman.

Të shumtë kanë qenë kolegët dhe fansat që janë shokuar nga ndarja nga jeta e tij në moshë fare të re. Avicii la një gjurmë shumë të madhe në insdustrinë e muzikës elektronike pasi i dhuroi publikut disa nga hitet më të ndjekura në histori./b.l/noa.al/