Transmetuar më 25-04-2018, 20:16

Në të njëjtën ditë që i morën jetën Thomait, tre autorët e dyshuar të ekzekutimit të tij, mbyllën profilet e tyre në rrjetin social Facebook dhe morën arratinë drejt Shqipërisë.

Bëhet fjalë për tre vëllezër, 23, 24 dhe 33 vjeç, emigrantë shqiptarë, të cilët akuzohen se në mes të sheshit të “Heronjve” në lagjen “Marusi” të Athinës, vranë me thikë Thomain, 19-vjeçarin që ashtu si ata, jetonte në kryeqytetin grek.

Policia e Athinës tha sot se arriti ta zbardhë vrasjen e ndodhur më 18 mars 2018, por tepër vonë, pasi autorët janë larguar në vendlindjen e tyre.

Fakti që ka kaluar më shumë se një muaj nga ngjarja dhe zbardhja e saj u bë vetëm së fundi, bëri që autorët t’i shpëtojnë të paktën tani, rënies në pranga, pohojnë agjentë antikrim në drejtorinë policore të Athinës që citon sot noa.al.

Ngjarja e rëndë erdhi pas një debati për 170 euro. Viktima ia kishte dhënë një prej tre vëllezërve, 33 vjeç që në këmbim t’i jepte një sasi hashashi. Por mosmarrëveshje lindën pas kësaj dhe Thomai kërkoi që të takohen për t’u sqaruar.

Sqarimi rezultoi fatal. 33-vjeçari shkoi në takim te sheshi i “Heronjve” bashkë me dy vëllezërit e tij, 23 dhe 24 vjeç. Me vete kishin thika.

Thomai gjendej në shesh, me dy shokë të tij moshatarë.

Me t’u përballur me njëri-tjetrin, mëngjesin e 18 marsit, ata u përfshinë në gjakderdhje me pasojë plagosjen deri në vdekje të Thomait nga 33-vjeçari.

Sakaq, prindërit e Thomait lëshuan në mediat greke sot, akuza ndaj Policisë së Athinës duke e konsideruar të papërgjegjshme që nuk i kishte kapur autorët e krimit.

“Edhe pse kishin në duart e tyre fotografinë e vrasësit 33-vjeçar, policët nuk bënë asgjë për ta kapur atë dhe bashkëpunëtorët e tij”, janë shprehur prindërit e Thomait në televizionet kryesore helene.

“Policia kishte dhe dëshmi kyçe për ngjarjen duke pasur kështu mundësi të shumta për të shtënë në duar autorët”, – shprehen prindërit e të ndjerit.

Në vend të kësaj, shtojnë ata, lanë që vrasësi 33-vjeçar të largohej qetësisht në të njëjtën ditë, përmes pikës kufitare të Kakavijës kurse dy vëllezërit e tij, dy ditë më vonë. /noa.al/