Transmetuar më 26-04-2018, 15:51

Një biznesmen nga Kamenica ka tentuar të vetëdigjet në një pronë të vetën, në shenjë protest ndaj vendimit të gjykatës e cila ka lejuar shtrirjen e telave të tensionit të lartë mbi pronën e tij.

Në një video të cilën e ka publikuar në Facebook, Arbnor Bajra, shihet se si babai i tij, biznesmeni Avdullah Bajra, mban në dorë një enë me benzinë dhe kërcënon se do digjet.

Ndërhyrja e Policisë parandaloi më të keqen, ndërsa ngjarja ka marrë vëmendjen e opinionit publik.

Biznesmeni pretendon se Gjykata Themelore në Gjilan, dega e Kamenicës, nuk ka vendosur drejt kur i ka dhënë leje kompanisë KEDS që të shtrijë telat e energjisë mbi pronën e tij, pa marrë leje nga vetë pronari.

Krejt ngjarja është xhiruar nga djali i tij, Arbnor Bajra i cili e ka publikuar videon edhe në rrjetin social Facebook.

Ai, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se kompania ka bërë veprime pa lejen e tyre.

“Është puna e një pronës që kemi ne, një kompani turke ka bërë shtrirjen e rrjetit përmes pronës sonë, pa lejen tonë. Gykata ka marrë vendim për t’i përkrahur ata edhe për t’i lejuar të vazhdojnë punimet”, tha Bajra për KALLXO.com.