Transmetuar më 29-04-2018, 16:42

Në Durrës, as kryeprokurori, por edhe as prokurorët e tjerë nuk kanë pranuar që të marrin në ngarkim një dosje hetimore ku i dyshuar është ish Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla.

NOA konfirmoi nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme se prej mëse dy javësh “fle” në Durrës dosja nr 447 pasi asnjë nga prokurorët e kësaj prokurorie nuk pranon të çojë më tej hetimet mbi të.

Pyetur nga noa.al mbi shkaqet pse po ndodh kjo, duke dashur të vënë në dukje aspektin ligjor, thonë se nuk kanë as tagër dhe as kompetencë që të merren me një dosje të tillë.

Në këto kushte, Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencën dhe ka dërguar për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dosjen numër 447, në të cilën ishte regjistruar procedimi penal edhe në ngarkim të ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla.

Dosja ka mbërritur në Tiranë te Krimet e Rënda, por nuk ka asnjë vendim se çfarë do të bëhet me të. Ende nuk dihet se cili nga ish-vartësit do ta marrë atë në dorë. Sakaq, Adriatik Llalla pret të dalë para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit si një nga organet e vettingut i cili do të shqyrtojë qëndrimin e institucionit që mbron interesat e publikut, mbi çështjen a duhet, apo jo të kalojë Llalla në sitat e vettingut, kur ai u dorëhoq nga e drejta për të qenë pjesë e drejtësisë.

Avokati i Adriatik Llallës, Sokol Hazizaj, thotë se kjo është një shkelje.

“Adriatik Llalla ka dhënë dorëheqjen! Komisioni i Vettingut, ose nuk njeh faktet juridike, ose bën sikur nuk i njeh ato. Në këto kushte unë mendoj që çdo proces lind, zhvillohet dhe prodhohet ndaj të mbrojturit prej meje, Adriatik Llalla është joligjor”, – deklaron Hazizaj.

Trupa gjyqësore me 5 anëtarë, ka në mesin e sa edhe ish-prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, paraardhëse e Llallës në krye të organit qendror të akuzës.

Ky Këshill, ka thirrur seancën për në datën 16 maj 2018.