Transmetuar më 03-05-2018, 20:50

Nga Artan Fuga

Migjeni deshi t’ja fuste me grusht malit që s’bëzajte, por sigurisht më shumë ishte një mllef, sesa kishte një platformë mendore sesi mund ta gjente Shqipëria dhe shqiptarët rrugën për t’u bërë dinjitozë.

Prisnin shqiptarët nga Fan Noli, erudit, vjershën anës detit të palarë, por vështirë se arritën të kuptonin se çfarë donte të bënte ai me Shqipërinë. Reformë agrare dhe pastaj?

Sami Frashëri, dijetar, rreket në utopi për të mirën e Shqipërisë dhe shkruan Shqipëria çfarë ka qenë, çështë dhe çfarë do të bëhet? Se çfarë ishte më parë, as ai as ne nuk e dimë me siguri, se çfarë ishte në kohën e tij mbase ai e dinte kurse ne nuk e dimë, se çfarë do të bëhej ai nuk e dinte, kurse ne e dimë dhe e kemi mbi supe për natë. Larg së qeni ajo që ai mendonte. Pa lidhje fare.

Nacionalistë shqiptarë në vitet ’40 e mendonin të ardhmen e Shqipërisë si të mbrojtur nga fuqia e ashtuquajtur ariane që do të ngrihej mbi sllavët duke iu kundërvënë Europës latine dhe anglosaksone. Kurse komunistët e gjenin fatin e shqiptarëve te sllavët.

Pak më parë Branko Merxhani kartezian, aty në vitet ’30, ndikuar nga ogystkontizmi, shpresonte se Shqipërinë do ta merrnin në dorë intelektualët dhe përfaqësuesit e kulturës. Huq edhe ai, pavarësisht shpresave të mira. Politikani i zakonshëm shqiptar sot ka nivel kulturor më të ulët sesa mesatarja e shqiptarit të mesëm.

U rrejtën në ëndërra të kota komunistët internacionalistë që kërkonin të ardhmen te një komunizëm i ndritur, apo me një model sovjetik, sikurse hrushovianët që ëndërronin thjesht për një stalinizëm të liberalizuar.

Kot të flasësh për liberalë sepse edhe sikur të kishte të vërtetë dhe jo karagjozë rrugësh, tregu në Shqipëri as duket e as ka sy për qabe.

Kush flet për socializimin triumfues,mjafton t’i kujtojmë ku përfundoi ai pas katër dekadash në tallonat e mishit të grirë me kushedi çfarë origjine.

Nga ëndërrat për bashkim kombëtar nuk dihet se cila ende shihet si një ideal me sy zgjuar. Askush nuk e përmend më. As këtej dhe as andej Kukësit, kurse Kukësi qendron në mes si dopjo gjashta e historisë që na ka mbetur në dorë.

Bashkimi kombëtar ka përfunduar në një histori pushimesh plazhi dhe në luftë të patates!

Ku janë utopitë e viteve ’90 për Shqipërinë si Zvicra, për qytetarin e pasur, me pronë, në mirëqënie me një drejtësi të pavarur dhe të drejtë, të ditur dhe të hapur ndaj botës?

Pse kemi gabuar në parashikimin e historisë sonë të ardhme?

Pse kemi ikur në drejtime të tjera nga ato që kemi menduar?

Na ka lënë arsyeja, apo na ka tradhëtuar historia?

Përse kemi mbetur në bisht të historisë, në vagonin e fundit të popujve të tjerë?

Pse heronjtë tanë përjetësuar në monumente apo rrëzuar nga piedestalet kanë gabuar në parashikimet e tyre, ndërsa kanë qenë të ushqyer me shpresa të mëdha?

Kanë gabuar të gjithë.

A thua një demon u ka pëshpëritur në vesh formulën e gabuar.

A thua diçka i ka penguar të mendojnë me realizëm dhe saktë.

Cfarë ka ndodhur?

Ka ardhur koha të gjendet gabimi, ndryshe nuk dihet se ku do të përfundojmë.

Cfarë është kjo Shqipëri që sot na ka mbetur në kurriz për ta bartur në rrugëtimin tonë drejt nuk dihet se kujt aventure dhe të papriturash që nuk kemi ende idenë se çfarë do të na rezervojnë fshehur pas ferrave të historisë?

(skicë e një memorandumi)

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al