Transmetuar më 06-05-2018, 00:03

Nga Bujar Nishani

Të dashur miq, çdo ditë e më shumë shqiptarët po e kuptojnë se sa i rëndë dhe i kushtueshëm është për ta krimi i organizuar dhe ngritja e tij në sistem.

Po e kuptojnë se është pikërisht krimi i organizuar sëbashku me korrupsionin e kudondodhur që shtojnë çdo ditë varfërinë e tyre, të familjeve të tyre, të fëmijëve të tyre.

Sa më shumë e kuptojnë këtë situatë shqiptarët aq më e pacipë bëhet propaganda dhe spekullimi trushplarës për ta mbuluar krimin.

Por aq dhe më qesharake bëhet ajo.

Po aq rritet urrejtja e shqiptarëve ndaj së keqes.

“Marrëzia e Fundit”, ishte premtimi i parë për sigurinë e shqiptarëve.

Dështim total dhe kapërthim me paranë e kumarit.

“Strategjia dhe Plani Veprimit Anti-Kanabis”, ishte fushata e dytë propagandistike. Jo dështim, por dekonspirim i bashkëpunimit dhe përfitimit politik me krimin këtë rradhë.

Kanabizim total i territorit shqiptar.

“Forca e Ligjit”, shfaqja trushplarëse e rradhës, ku si për ironi grabitjet e shtëpive dhe pronave të shqiptarëve shumëfishohen dhe lufta guerrile me tritol e bandave te krimi rinis.

“Vetingu” i policëve është gjethja e fikut të rradhës.

E ndërkohë Interpoli, organizata botërore përgjegjëse për hetimi e krimit deklaron : …“mafia shqiptare me tentakula në të gjithë botën”…., e pak më parë Qëndra Evropiane e Drogërave do të deklaronte se : ….“krimi i organizuar shqiptar që vepron jashtë e ka bazën dhe mbrojtjen në Shqipëri”….!!

Kryeministri mburret me arrestimin e Arbër Çekajt nga policia gjermane, por nuk thotë pse e lejoj atë të ikë jashtë vendit policia shqiptare vetëm 2 ditë përpara se të shpërthente skandali i kokainës në publik, ndërsa kishte një javë që policia ishte njoftuar dhe droga qëndronte në port.

Kryeministri sulmon opozitën pse ajo denoncon krimin e organizuar, por nuk jep shpjegime për raportin e tmerrshëm të Interpolit mbi krimin e organizuar shqiptar që e ka bazën pikërisht këtu në vend.

Kryeministri sulmon median shqiptare pse ajo informon mbi rrezikun që i kanoset shqiptarëve por nuk përgjigjet për denoncimet e medias franzece, spanjolle dhe gjermane që e profilizojnë Shqipërinë me vendin e drogës dhe krimit.

Kryeministri stigmatizon Gjermaninë se nuk është ajo që dikton Shqipërinë se si duhet të përmbushë kriteret e integrimit evropian por nuk thotë pse i mbushi me emigrantë dhe kanabis nga Shqipëria vendet më të mëdha të BE.

Kryeministri akuzon të tjerët se po hedhin baltë. Çudi !!!

Nuk na thotë kush ja nxiu faqen Shqipërisë me turma emigrantësh në konkurim me Sirinë e luftës ?

Kush ja nxiu emrin shqiptarëve me tonelatat e drogës që vazhdojnë e nuk rreshtin ?

Kush ja nxiu emrin këtij kombi me ngritjen e mafias edhe shqiptare tani ?

Kush na vuri damkën, e pashlyeshme ende, duke e ngritur nivelin e bashkëpunimit të krimit të organizuar tek Ministri i Brendshëm i vendit ?

“Akt dinjitoz”, e quan Kryeminmistri heqjen dorë nga mandati i Ministrit të tij të Brendshëm, por vetë nuk guxoj tja hiqte mburojën e mandatit atëherë kur i duhej prokurorisë që të mund të gjente provat e krimit në shtëpinë e ministrit si dhurata prej trafikantëve bashkëpunëtor.

Të besosh se tashmë ministri do prangoset në qeli është njësoj si të besosh se lojrat e mëkatit u shkatërruan, u degdisën në periferi dhe paratë që grabitën ju kthyen mëkatarëve !!!.

Do të thotë të besosh se 99,99% e kanabisit të mbjellë në Shqipëri u shkatërrua nga policia dhe as grami nuk u trafikua dot!!

Do të thotë të besosh se 40 grupet e krimit të organizuar tani janë në rradhë tek zyrat e punësimit për të marrë adresën e fabrikës ku do nisin punën si menaxherë IT.

Kryeministri thotë se duan apo nuk duan ata që denoncojnë aferat e rënda kriminale dhe lidhjet e tyre direkt me politikën dhe pushtetin, Ai do ta bëj Shqiperinë. Jo !

Shqipërinë nuk mund ta mbajnë më peng grupet kriminale dhe bashkëortakët politik të tyre.

Shqipërinë do ta bëjnë shqiptarët patriotë dhe të ndershëm !