Transmetuar më 07-05-2018, 18:12

Nga Arlinda Çausholli

Nesër mbrëma, shqiptarët që janë të etur për të parë një copë Shqipërie të mirë, do të ndjekin Eugent Bushpepën në skenën e Festivalit Europian që zhvillohet në Lisbonë.

Bushpepa dhe grupi i tij, do të këndojë i treti me këngën “Mall”, një baladë rroku që ditët e fundit ka marrë zemrën e publikut europian dhe e ka përmbysur në favorin e vet vëmendjen e atyre që ishin skeptikë për Shqipërinë, këngën dhe Bushpepën.

“Mall” përfaqëson Shqipërinë e mirë, profesionistët, thjeshtësinë e artit dhe njëkohësisht madhështinë e tij, gjithë njerëzit që përpiqen në këtë humbëtirë të pamerituar të një shoqërie, ku mikrofoni – ai politik dhe jo vetëm – është në dorën më të gabuar dhe amplifikimi në veshët më të paduhur.

Për të gjithë ne, që e kemi ndjekur Bushpepën nga Tirana Rock e tani do ta ndjekim në skenën europiane, zëri i Mallit lartësohet në shpresë e triumf për atë që e ndjen se i përket kësaj toke…

E ku shtatë notat e muzikës, mund të bëjnë mrekullinë e radhës të shqiptarëve të zakonshëm, që janë të jashtëzakonshëm.

Për ne që e duam Shqipërinë, që zgjodhëm të rrimë, e të luftojmë çdo ditë për shpirtin më të bukur të saj që ta mbajmë gjallë – e kush ia del e di fort mirë sa e vështirë është – Malli i Bushpepës është Mall për Shqipërinë më të mirë.