Transmetuar më 13-05-2018, 14:10

Personat që mbeten të paaftë për punë për gjithë jetën do të përfitojnë nga kompanitë e sigurimeve 4 milionë lekë të reja. Në nenin 18 të projektligjit që i është dorëzuar deputetëve të Komisionit të Ekonomisë është parashikuar përgjegjësia e shoqërisë së sigurimit dhe shuma e siguruar.

Në pikën e parë të tij parashikohet se detyrimi i shoqërisë së sigurimit që rrjedh nga kontrata e sigurimit, përfaqësohet nga kufijtë minimalë të mbulimit të vlefshëm në ditën e aksidentit, përveç rastit kur në kontratën e sigurimit përcaktohet një vlerë më e lartë. Ndërkohë që minimumi i shumës së siguruar për çdo pasagjer të mbuluar nga kontrata e sigurimit, sipas nenit 17 të këtij ligji, përcaktohet: a) 2 milionë lekë në rast vdekjeje; b) 4 milionë lekë në rast paaftësie të përhershme për punë; c) 1 milion lekë në rast paaftësie të përkohshme për punë dhe trajtimet mjekësore.

Pagesat e dëmeve të pronës

Në projektligj është vendosur për herë të parë detyrimi që kontrata e sigurimit të mbulojë edhe dëmtimin e pronës. Bëhet fjalë për demet si prishja e semaforëve, trafikndarësve etj. Ky kusht rrjedhimisht do të llogaritet edhe në çmimin e primit që qytetarët paguajnë për siguracionin e mjeteve, duke rritur vlerën e tij. Siguracionet tashmë me ligjin e ri do të jenë sipas sistemit bonus-malus, ku vlera e pagesës nga drejtuesit e mjeteve do të llogaritet në bazë të numrit të aksidenteve dhe vjetërsisë së shoferit. Po ashtu një tjetër kërkesë e shtuar për drejtuesit e mjetit është edhe bllokimi i lëshimit të kolaudimit në rastin që nuk paraqitet siguracioni i prerë, ndërsa polici i qarkullimit rrugor ka të drejtë ta bllokojë automjetin deri në blerjen e kartonit të sigurimit.

Pronari i makinës duhet që të mbajë me vete tashmë edhe Raportin Evropian të Aksidenteve, i cili do të shërbejë për përshkrimin e ngjarjes së aksidentit për dëme me vlerë më të vogël se 3 mijë dollarë e do t’i dorëzohet shoqërisë së sigurimit me firmën e të dy palëve të përfshira në aksident. Projektligji nuk lejon ndryshimin e tarifave nga ana e kompanive më shumë se dy herë në vit, ndërsa kërkon që përpara se të ato të ndryshojnë duhet që 30 ditë përpara të miratohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, shkruan ‘Gsh’.

Ky draft ligj rregullon sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Sipas draftit sigurimi i detyrueshëm në sektorin e transportit përfshin:

a) sigurimin e përgjegjësisë së pronarit të mjetit motorik, për dëmet shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti;

 b) sigurimin e pasagjerëve nga aksidentet në transportin publik; c) sigurimin e përgjegjësisë së pronarit të mjetit lundrues, për dëmet shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti;

ç) sigurimin e përgjegjësisë së pronarit të avionit, për dëmet shkaktuar palëve të treta dhe pasagjerëve nga përdorimi i këtij avioni. Ndërkohë që dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për kategori të veçanta mjetesh motorike të Forcave të Armatosura, të cilat përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.

Sigurimi mbulon dëmtimet trupore të shkaktuara pasagjerit nga apo si pasojë e:

a) defekteve teknike që çojnë në humbjen e kontrollit mbi mjetin, defekte, të cilat ndodhin jo për faj të pronarit apo drejtuesit të mjetit të transportit urban;

b) rënia e objekteve të jashtme mbi mjetin motorik gjatë përdorimit të tij, qëndrimit në stacion apo gjatë qarkullimit;

c) dëmtime aksidentale të shkaktuar nga grumbullime masive, akte të dhunshme që mund të kenë motiv politik ose social, si atentate, sabotime, akte terroriste, dëmtime, zjarrvënie të qëllimshme, ngjarje apo shpërthime në objektet e ndryshme që ndodhen jashtë mjetit të transportit publik me kusht që ai mos të jetë pjesëmarrës aktiv në ato ngjarje;

ç) frenim i papritur, plasja e gomës, devijimet e lëvizjes si rezultat i një shpërthimi apo shmangie e menjëhershme e detyruar që çon deri në përmbysjen e mjetit të transportit publik;

d) eksplozioni që ndodh jashtë mjetit të transportit publik me kusht që mjeti mos të jetë pjesëmarrës aktiv në ngjarje;

dh) çdo ngjarje tjetër që ndodh jo për faj të drejtuesit/pronarit të mjetit të transportit publik dhe nuk mbulohet nga sigurimi i detyrueshëm i përgjegjësisë të pronarit të mjetit.