Transmetuar më 14-05-2018, 12:31

Komisioni Kombëtar Katarian për të Drejtat e Njeriut njoftoi të dielën, se autoritetet saudite kanë arrestuar arbitrarisht shtetasin katarian Talal Nawaf Al Rasheed, pa i drejtuar asnjë akuzë dhe duke e rrëmbyer atë me forcë.

Komiteti tha  në një deklaratë zyrtare dje në mbrëmje, se kishte marrë ankesë nga familja e Nawaf Talal Al Rasheed, në lidhje me arrestimin e tij nga autoritetet saudite në mënyrë arbitrare pa ndonjë akuzë, dhe pa asnjë justifikim ligjor për arrestimin e tij.

Familja Al Rasheed shprehu shqetësimin dhe tronditjen e thellë për mosnjohjen e vendndodhjes së paraburgimit dhe arsyet e zhdukjes me forcë të familjarit të tyre, si dhe privimin e tij nga e drejta e kontaktimit të të afërmve ose të një avokati. Komunikimi i fundit me të ishte para dy ditësh kur ai ishte ende në Kuvajt.

Komisioni e konsideroi arrestimin e Al Rasheed si vazhdimësi të shkeljeve të të drejtave të njeriut nga autoritetet saudite ndaj shtetasve katarianë, dhe sajimin e argumenteve joserioze për ndalimin arbitrar të tyre.

Komisioni Kombëtar Katarian për të Drejtat e Njeriut i bëri thirrje të gjitha Organeve dhe Organizatave Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut të ndërhyjnë për lirimin e shtetasit katarian, si dhe lejimin e tij për të ushtruar sa më parë të drejtën e komunikimit me familjen dhe avokatin e tij.

Gjithashtu, Komiteti Katarian për të Drejtat e Njeriut ngarkoi autoritetet saudite me përgjegjësi të plotë për sigurinë e të arrestuarit, dhe marrjen e masave për ndalimin e të gjitha formave të keqtrajtimit ndaj tij, në zbatim të konventave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.

Ndërkohë, mediat kuvajtiane kanë raportuar se autoritetet kuvajtiane ia dorëzuan Al Rasheed autoriteteve saudite me kërkesë nga këto të fundit.

Al Rasheedi bëhet kështu shtetasi i dytë katarian që arrestohet në më pak se një muaj nga Arabia Saudite, e cila arrestoi 21 Prillin e kaluar shtetasin tjetër katarian Mohsen Saleh Saadoun Al Karbi, në një pikë kufitare midis Jemenit dhe Omanit, ku ai ishte duke shkuar për të vizituar të afërmit e tij në Jemen.