Transmetuar më 16-05-2018, 07:58

Ankaraja i kërkoi ambasadorit të Izraelit në Turqi, Eitan Naeh, që të lërë vendin, pak pasi u thirr në një takim në ministrinë e Punëve të Jashtme.

Naeh u dëbua pas vrasjes së mbi 60 palestinezëve këtë të hënë, të vrarë nga ushtria izraelite gjatë përplasjeve në Rripin e Gazës.

Pak orë më vonë vjen i njëjti reagim nga Izraeli, duke dëbuar diplomatët turq.

Konsulli turk në Jeruzalem u thirr në ministrinë e Jashtme izraelite pasditen e kësaj të marte, duke i kërkuar që të kthehet në vendin e tij.

Ndërkohë Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dalë me deklaratë duke thënë se “Izraeli duhet të masë përdorimin e forcës! Duhet të mbrojë kufijtë, por në mënyrë proporcionale. Ndërsa Hamas nuk duhet të përdorë protestat për të hedhur bomba dhe për të bërë veprime provokuese”.

Situata mes Izraelit dhe Palestinës u tensionua dhe u shoqërua me viktima, gjatë inaugurimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem.

Të paktën 60 persona kanë mbetur të vdekur dhe mbi një mijë të tjerë janë plagosur nga përplasjet mes ushtrisë izraelite dhe palestinezëve. /a.y/noa.al