Transmetuar më 18-05-2018, 13:44

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të materialit filmik nga Partia Demokratike ku i ashtuquajturi “dëshmitari X” zbulon identitetin dhe deklaron se gjithçka që dëgjohet te audio-përgjimi i vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj është e vërtetë.

Më herët Rama tha se materiali i ishte nënshtruar ekspertizës nga një kompani e specializuar e cila verifikoi se materiali sipas tij nuk është autentik por thjesht një sajesë.

Por kryeministri nuk preferoi të zbulojë emrin e kompanisë.

“Unë i jam drejtuar një agjencie të specializuar, adresën nuk mund t’jua jap. Nuk ka vlerën e një prove, provën duhet ta identifikojë, ta çertifikojë, cilado që të jetë ajo, Prokuroria. Por për sa më takon jam shumë i qartë dhe e përsëris, bëhet fjalë për një maskaradë, të organizuar me qëllime që janë të qarta për të gjithë, dhe e motivuar nga frymëzimi malinj për të bërë çmos për të penguar dhe mundësisht, hedhur në erë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë”, deklaroi Rama.

Më tej ai ka ironizuar Partinë Demokratike e cila sipas Ramës me shfaqjen e saj nuk ka bërë gjë veçse ka demaskuar veten.

“Në një kuptim e falenderoj PD që e bëri shumë të lehtë demaksimin e kësaj maskarade me atë shfaqje që dha dje në skenën e teatrit të SHQUP-it”, tha Rama./a.m./noa.al/