Transmetuar më 18-05-2018, 22:15

Një ngjarje tragjike ndodhi sot në Kubë, aty ku më shumë se 100 njerëz humbën jetën pas rrëzimit të një avioni, ndërsa 3 të mbijetuarit janë në gjendje kritike për jetën.

Avioni i "Cubana Airlines" pësoi defekt pasi u ngrit nga aeroporti "Jose Marti" në Havana këtë pasdite.

Mediat shtetërore raportuan se ishin 104 vetë në bordin e një avioni që u rrëzua menjëherë pas ngritjes.

Aeroplani Boeing 737 po shkonte në qytetin kuban të Holguinit.

Ai kishte 104 pasagjerë dhe 9 pjesëtarë të huaj ekuipazhi.

“Fatkeqësisht jemi përpara një aksident ajror. Lajmet nuk janë premtuese, pasi duket se ka një numër tejet të lartë viktimash”, citohet të ketë thënë Diaz-Canel, presidenti i zgjedhur pak ditë më parë në Kubë.

Avioni ishte marrë me qira nga kompania shtetërore “Cubana de Aviacion”, nga një kompani meksikane “Damojh”, thekson më tej agjencia kubane e lajmeve “Prensa Latina”.

Ekipe emergjencash, zjarrfikës dhe ambulanca shkuan në vendngjarje. Radioja “Havana Cuba” njoftoi përmes “Twitter”-it se avioni ishte rrëzuar në një autostradë mes Boyerosit dhe Havanës, shumë pranë aeroportit.

Një burim i aeroportit tha për “CNN”, se numrin i viktimave është i madh, por pa dhënë detaje.

Dëshmitarët thanë se një shtëllungë e madhe zjarri dhe reja e dendur e tymit që pasoi ishin të dukshme ngado përreth kryeqytetit kuban./m.sh/noa.al/