Transmetuar më 19-05-2018, 09:11

Prindërit e një fëmije të sapolindur u kthyen në shtëpi pas lindjes së gruas, dhe zbuluan se kishin marrë me vete fëmijën e gabuar.

Drejtuesit e spitalit të Podgoricës në Mal të Zi, nisën verifikimet për rastin, duke akuzuar një infermiere se kishte ngatërruar foshnjën. Dyshohet se infermierja nuk kishte ndjekur procedurat e duhura.

Prindërit dolën nga spitali duke menduar se kishin marrë me vete vajzën e tyre, por befas kuptuan se kishte diçka që nuk shkonte.

Çifti u kthye në spital, pasi zbuluan se byzylyku i nënës dhe foshnjës nuk përputheshin.

Në një deklaratë për mediat spitali, deklaroi se mjekët dhe infermierët që ishin në shërbim kur ndodhi gjithçka, do të përballen me masa disiplinore.

Drejtoresha e spitalit Zorica Beba Kovačević, deklaroi për mediat vendase se nuk ka asnjë justifikim për incidentin, ndërkohë që hetimet janë në vijim për të zbuluar nëse fëmija u ndërrua aksidentalisht apo qëllimisht.

Infermierja nën akuzë, siç raporton noa.al, punon në këtë spital prej 20 vitesh dhe asnjëherë më parë nuk i kishte ndodhur ndonjë rast i ngjashëm.

Ndërkohë ministri i Shëndetësisë të Malit të Zi, Kenan Hrapović, kërkoi pushimin nga puna të shefit të repartit të maternitetit. /a.y/noa.al

Foto ilustruese