Transmetuar më 19-05-2018, 11:07

Prej kohësh flitet se kur do të largohet nga Shqipëria, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu.

Por mësohet se kjo verë do të shënojë edhe largimin e kryediplomatit amerikan në vendin tonë. Konfirmimi është dhënë nga zëvendës ndihmës Sekretari amerikan në detyrë, Mathew Palmer.

I pyetur nga ‘Mapo’, Palmer tha se, “Është planifikuar që ambasadori Lu të largohet nga Shqipëria këtë verë”.

Nëse do të ndryshojë politika e SHBA ndaj Shqipërisë me ardhjen e një ambasadori të ri, ai tha se politika e SHBA në Shqipëri është të mbështesë anëtarësimin e vendit në BE dhe reformat e nevojshme për ta çuar përpara këtë synim.

“Kjo përfshin mbështetjen për reformën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe kundërvënien ndaj ekstremizmit të dhunshëm. Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të ngrejë zërin në favor të sundimit të ligjit dhe reformës së gjyqësorit dhe kundër përpjekjeve për të manipuluar zbatimin e saj. Përparësitë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri nuk ndryshojnë me ardhjen e një ambasadori të ri”, deklaroi Palmer.

Sa i takon emrit të ambasadorit të ri që do të zëvendësojë Lu, ai tha se për këtë duhet pyetur në Shtëpinë e Bardhë. /a.y/noa.al