Transmetuar më 19-05-2018, 12:39

Me flokët e mbledhur, me vello në kokë, aktorja amerikane Meghan Markle ka mbërritur në kishën ku do të lidhë kurorë me princin Harry të Anglisë.  

Ndërkohë princi Harry u shfaq me kostumin mbretëror i shoqëruar nga vëllai, trashëgimtari i fronit princi William.

Nusja shoqërohet në altar nga babai i dhëndrit, princi Charles, për shkak se babai i Meghan, Thomas Markle nuk është i pranishëm në ceremoni.

Gjithçka për shkak se pak ditë më parë ai i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. 

Sakaq nëna e nuses, Doria Ragland, shoqëroi të bijën deri në kishën St.George të kështjellës Windsor, ku po mbahet ceremonia martesore, siç mund të shihni në videon e transmetimit direkt.

Meghan shoqërohet nga fëmijët e princit William, George dhe Charlotte, ndërsa në mes të kishës pritet nga Charles.

Pas lidhjes në martesë, pak pas orës 13.00 çifti mbretëror që tashmë do të jenë duka dhe dukesha e Sussex, do të udhëtojnë me karrocë duke përshëndetur të pranishmit.

Mbi 100 mijë persona janë të pranishëm anës rrugës për të parë çiftin e ri, si dhe 600 të ftuar janë në kishë. Mes të pranishmëve për të ndjekur nga afër ceremoninë janë shumë personazhe të famshëm mes tyre aktori George Clooney me të shoqen Amal, David dhe Victoria Beckham, Oprah Winfrey, Elton John etj.

Pas ceremonisë në kishë princi Charles do të mbajë një festë private për familjen dhe miqtë e ngushtë të çiftit.

Sakaq nga ana e policisë janë marrë masa të rrepta sigurie, ku ushtarë të armatosur do të patrullojnë në rrugë dhe snajperat janë vendosur nëpër tarraca, për të shmangur incidente të mundshme. /a.y/noa.al