Transmetuar më 19-05-2018, 13:18

Ata thanë “po”! Princi Harry i Anglisë lidhi kurorë mesditën e sotme me aktoren amerikane Meghan Markle, duke u bërë kështu burrë dhe grua.

Të emocionuar që të dy, ata shkuan në altar ku morën bekimin për nisjen e rrugës së re, si bashkëshortë.

Meghan u shoqërua në altar nga vjehrri, princi Charles, ku u shfaq me një fustan klasik sateni dhe me një vello tejet të gjatë.

Ndërsa Harry me kostumin klasik mbretëror, duke pritur Meghan, të cilës i pëshpëriti teksa mbërriti në altar, “Dukesh e mrekullueshme!”.  

Deri në kishë Meghan u shoqërua nga e ëma, ndërkohë që Harry, nga vëllai, trashëgimtari i fronit princi William.

Nusja u shoqërua në altar nga babai i dhëndrit, princi Charles, për shkak se babai i Meghan, Thomas Markle nuk është i pranishëm në ceremoni.

Gjithçka për shkak se pak ditë më parë ai i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale.

Në kishën St.George të kështjellës Windsor, ku u mbajt ceremonia martesore, siç mund të shihni në videon, ishin të pranishëm 600 të ftuar.

Pas lidhjes në martesë, çifti mbretëror që tashmë do të jenë duka dhe dukesha e Sussex, do të udhëtojnë me karrocë duke përshëndetur të pranishmit.

Mbi 100 mijë persona janë të pranishëm anës rrugës për të parë çiftin e ri. Mes të pranishmëve për të ndjekur nga afër ceremoninë janë shumë personazhe të famshëm mes tyre aktori George Clooney me të shoqen Amal, David dhe Victoria Beckham, Oprah Winfrey, Elton John etj.

Pas ceremonisë në kishë princi Charles do të mbajë një festë private për familjen dhe miqtë e ngushtë të çiftit.

Sakaq nga ana e policisë janë marrë masa të rrepta sigurie, ku ushtarë të armatosur do të patrullojnë në rrugë dhe snajperat janë vendosur nëpër tarraca, për të shmangur incidente të mundshme. /a.y/noa.al