Transmetuar më 20-05-2018, 15:04

Një fluks i ri emigrantësh u paralajmërua nga strukturat ligjzbatuese evropiane së fundi dhe Ballkani pritet të jetë zona më e prekur për shkak të pozitës gjeografike. Pas paralajmërimeve vendet e rajonit kanë nisur të marrin masa konkrete për përballimin e situatës.

Mali i zi, që ndodhet në një pozitë mjaft të favorshme dhe rrugë-kalimi për emigrantët po mendon ngritjen e një gardhi në kufirin me Shqipërinë. Vendimi pritet të merret pasi fluksi i emigrantëve që vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrika Veriore janë shtuar.

Rruga që ndiqet nga emigrantët është sipas itinerarit Greqi-Shqipëri-Mali i Zi-Bosnjë-Kroaci e më gjerë shpërndahen në vendet e Bashkimit Evropian.

“Në rastin e një fluksi më të madh, ne po mendojmë ngritjen e një gardhi në kufi me Shqipërinë”, tha Vojislav Dragoviç, drejtor i Departamentit për Mbikqyrjen e Kufijve në Malin e Zi.

Zyrtari kritikoi edhe sjelljen e Shqipërisë me emigrantët teksa sipas tij, shpesh herë autoritetet shqiptare nuk kanë pranuar kthimin pas të klandestinëve edhe pse kanë shkuar në Malin e Zi nga territori shqiptar.

Kjo duket të jetë edhe arsyeja pse Mali i Zi po mendon të ndërmarrë këtë masë ekstreme, e ndjekur më herët nga Hungaria, një vend me retorikë të ashpër kundër emigrantëve.

Në vitin 2015 pati një fluks mjaft të lartë emigrantësh teksa turma me qindra njerëz kalonin çdo ditë në territorin e Ballkanit. Aso kohe Hungaria vendosi ndërtimin e gardheve./a.m./noa.al/