Transmetuar më 22-05-2018, 07:58

Pallati mbretëror anglez, Kensington Palace, ka publikuar këtë të hënë në Twitter, fotografitë e para zyrtare të dasmës së princit Harry me Meghan Markle.

“Duka dhe dukesha e Sussex duan të falenderojnë të gjithë ata që morën pjesë në ceremoninë martesore. Ndihen me fat që patën mundësinë të ndajnë ditën e tyre të veçantë, me ata që mbërritën në kështjellën Windsor, me ata që e panë në televizor në Britaninë e Madhe dhe në të gjithë botën”, thuhet në fjalët që shoqërojnë fotografitë.

Në një fotografi çifti shihet me familjen e madhe, me mbretëreshën Elizabeth, princin Philip, Charles me të shoqen Camilla, nëna e nuses Doria Ragland , princi William dhe Kate Middleton, si dhe vogëlushët e tyre George dhe Charlotte.

Krahas tyre janë edhe fëmijë të tjerë që shoqërojnë nusen. Në një tjetër foto shihet Harry me Meghan të ulur në shkallë, në pozicion romantik.

Ndërsa në fotografinë e tretë çifti shihet mes fëmijëve të vegjël që i shoqëruan gjatë gjithë dasmës. /a.y/noa.al