Transmetuar më 22-05-2018, 12:28

Familjarë, qytetarë, "Lëvizja Egjiptiane" dhe ajo e komunitetit "Romë" mbajtën sot para ministrisë së Brendshme një protestë në lidhje me vdekjen në ambientet e policisë së Korçës së 27 vjeçarit Enea Ftoj.

Një ndër organizatorët e ktij tubimi kërkoi nga organet ligjzbatuese zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen e masave ndaj punonjësve të policisë së Korçës, të cilët sipas tyre i kanë sjellë vdekjen të riut.

 “Menduam të protestojmë sot për të reaguar ndaj një padrejtësie të madhe, diskriminimi të hapur që dhunon të drejtën e jetës. Duke qenë se drejtoria e policisë nuk na dha leje, ne në emër të gjithë qytetarëve duhet t’u kërkojmë ndihmë institucioneve përgjegjëse për drejtësi. I bëjmë thirrje ministrisë së Brendshme të marrë masa ndaj punonjësve të komisariatit të policisë Korçë që dhunuan Enean Ftoj”, tha një përfaqësues.

Ndërsa vëllai i Enea Ftoit tha se kërkojnë drejtësi, pasi shenjat në trup tregojnë se kjo nuk është një vdekje natyrale.

“Në video duket që është i dhunuar. Kishte brinjët e shpatullën e thyer dhe kishte tre gjilpëra në qafë. Në polici thanë që është vdekje natyrale. Kërkojmë drejtësi për djalin tonë. Shef Guri i thashë, si është Enea? Më tha që është mirë. I thashë zgjoje që t’i japësh ilaçin”, tha vëllai i tij./m.sh/noa.al/