Transmetuar më 22-05-2018, 14:33

Presidenti Ilir Meta po zhvillon një vizitë pune në Maltë, në kuadër të “Forumit të Biznesit Maltë-Shqipëri”, i shoqëruar nga një delegacion me 31 përfaqësues të komunitetit të biznesit shqiptar të Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

Në ditën e parë të Forumit, që u çel me fjalimin e mirëseardhjes nga Presidentja e Maltës, Coleira Preca, Presidenti Meta në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm në të gjitha fushat mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Ai e vuri theksin tek nevoja për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomiko-tregtare dhe investimet e ndërsjellta.

Gjithashtu, Presidenti prezantoi para komunitetit të biznesit maltez potencialet dhe mundësitë e shumta që ofron Shqipëria për investitorët e huaj në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Presidenti Meta i ftoi investitorët maltez të vlerësonin oportunitetet investuese në Shqipëri për të gjitha avantazhet krahasuese që ofron ekonomia shqiptare.

“Shqipëria mund të shërbejë si ‘qendër ekonomike rajonale’ për shtrirjen e investimeve të huaja në një treg ballkanik me më shumë se 20 milion konsumatorë, si dhe mund të jetë një ‘portë hyrëse’ rajonale drejt tregut evropian”, u shpreh Meta.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti shpalosi projektet sektoriale të resurseve të mëdha turistike, të potencialit në projektet e energjisë së rinovueshme, të nevojës për investime private në modernizimin e bujqësisë dhe industrisë agro-përpunuese, të stimulimit të sektorit të manifakturës përmes zonave të lira ekonomike dhe parqeve industriale, të zhvillimit të sektorit të shërbimeve financiare, të tregjeve të kapitaleve si dhe sektorit të Teknologjisë se Informacionit (ICT).

“Shqipëria është një vend i bekuar me pasuri natyrore, nëntokësore, si dhe ka një nga popullsitë më të reja, më energjike dhe me koston më të ulët të krahut të punës në Evropë”, tha Presidenti Meta.

Në mbyllje të fjalës së tij, Meta shprehu mbështetjen dhe ftoi sërish biznesin maltez të investonin në potencialet e pashfrytëzuara të ekonomisë shqiptare.

Nga ana e saj, Presidentja e Maltës Coleira Preca, gjatë fjalës së saj vlerësoi se Malta dhe Shqipëria duhet t’i japin një hov të ri bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe të shfrytëzojnë të gjitha oportunitetet e biznesit për të eksploruar tregje te reja investimesh. Në mbyllje të Forumit u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes Dhomave të Tregtisë si dhe u zhvillua një seancë takimesh “BtoB” mes dhjetëra bizneseve shqiptare dhe malteze për inicimin e projekteve konkrete në fushën e investimeve. /a.y/noa.al