Transmetuar më 23-05-2018, 09:27

“Herë pas here, gjithçka për të cilën kemi nevojë është një përqafim”.

Është ky postimi i bërë në Twitter së fundi nga reperi i njohur, Kanye West.

Por nuk i referohej një veprimi dosido, pasi ai publikoi fotografinë e Amma Mata, “Nënë Mata”, një udhëheqëse shpirtërore indiane, e cila i bie rrotull botës duke përqafuar.

Numërohen mbi 32 milionë persona të përqafuar prej saj, ndërsa njihet nga të gjithë si “nëna që përqafon”.

Mata Amritanandamayi, është lindur në vitin 1953 në një familje të varfër peshkatarësh. Qysh e vogël i duhej të punonte në bujqësi, të ushqente kafshët dhe në këtë mënyrë u njoh me varfërinë dhe vuajtjet e shumë personave në Indi.

Mundohej që t’iu jepte atyre për të ngrënë ose iu falte ndonjë veshje, por mbi të gjitha përpiqej t’i gëzonte duke u dhënë një përqafim.

Një ide kjo, që fillimisht nuk iu pëlqeu prindërve të saj, për shkak se një vajzë e re përqafonte burra e gra.

Ndërsa gjithçka nisi në vendin e saj, më tej ajo ka bërë në të gjithë botën që nga Australia, duke vijuar në Europë dhe kontinentet e tjera.

Gjatë një takimi në Australi në vitin 2012, Mata Amritanandamayi priti 40 mijë besimtarë në 20 orë, duke i përqafuar pa pushuar.

“Ku ka dashuri gjithçka ndodh pa sforcim”, thotë ajo.

Në Indi, Mata Amritanandamayi shihet si rimishërim hyjneshe, aq sa e quajnë Mahatma, “shpirti i madh”, njëlloj si Gandi, shkruan noa.al.

Mata ka themeluar një organizatë joqeveritare për të përcjellë mesazhin e saj tek të gjithë, e cila nuk limitohet vetëm te përqafimet.

Organizata e saj financon kura mjekësore falas për njerëzit që nuk kanë mundësi, po ashtu strehon të pastrehët dhe jep ndihma në raste katastrofash natyrore.

“Ëndrra ime është për një botë ku burra dhe gra të ecin përpara njëlloj së bashku, tamam si krahët e një zogu”, – shprehet Mata Amritanandamayi. /a.y/noa.al/