Transmetuar më 23-05-2018, 09:43

Një familjeje shqiptare në Gap të Francës i është refuzuar kërkesa për azil.

Prindërve të dy fëmijëve të mitur, nuk i mbetet gjë tjetër vetëm kthimi në vendlindje.

Por drejtuesja e një shoqate humanitare franceze është mobilizuar dhe bën ftesë për të ndihmuar familjen me dy fëmijë të moshës 8 e 10-vjeç.

Shtetasja franceze Michèle Passas, u ka liruar dhomën e saj të gjumit katër pjesëtarëve të familjes shqiptare.

Tashmë prej tre ditësh, kjo banore e Gapit ka ndarë banesën e saj me familjen shqiptare dhe ka zgjedhur të flejë në divanin e sallonit.

“Dua që ata të kenë sado pak intimitet, që të mund të pushojnë, pasi janë shumë të stresuar”, ka pohuar francezja që është anëtare e shoqatës, për “France 3”, përcjell albinfo.ch.

Më tej francezja thotë se çifti fle nën ndriçimin e dritave pasi kanë frikë të vazhdueshme nga errësira.

Çifti shqiptar pohon se kanë marrë kërcënime në Shqipëri dhe kanë parashtruar kërkesë për azil, por u është refuzuar.

Pa mbështetjen e Michèle, familja do të mbetej në rrugë.

“Më parë, ka ekzistuar mundësia për të telefonoje numrin telefonik 115 që është përgjegjës për strehim, por tani ata refuzojnë të ndihmojnë familjet që gjenden në këtë situatë”, thekson Cécile Leroux, vullnetare e shoqatës, e cila vazhdon më tej:

“Na kanë thënë se nuk janë të “prekshëm”, por çfarë do të thotë “i prekshëm” kur bëhet fjalë për një familje me dy fëmijë të mitur që nuk ka të ardhura?”

Për vitin 2017 shqiptarët përbëjnë nacionalitetin e parë në radhën e kombësive që kanë parashtruar kërkesa për azil në Francë.

Familja shqiptare thotë se do t’i vazhdojë tentativat për të përfituar leje qëndrimi.