Transmetuar më 23-05-2018, 11:12

Në Indonezi ka vende magjike, ku turistët mund të notojnë me delfinët, të përkëdhelin tigrat dhe elefantët, apo të përqafohen me majmunët.

Këta ishuj janë destinacione të mrekullueshme dhe cilësohen si parajsë e vërtetë për miliona turistë, por janë një ferr i vërtetë për rreth 2000 kafshë që jetojnë në kushte vërtetë të këqija.

Një raport i organizatës për mbrojtjen e kafshëve, ‘World Animal Protection UK’ (WAP), deklaron se në resortet dhe në parqet e argëtimit janë me qindra raste, ku kafshët e egra torturohen egërsisht, në mënyrë që turistët të argëtohen.

Chiara Vitali, përgjegjëse e ‘WAP’, deklaron se “Kur i pyetëm drejtuesit e spektaklit se pse delfinët nuk i kishin dhëmbët, ata u përgjigjën se nëse rriten në pishinë, nuk iu rriten dhembët. Kjo është e pamundur! Dhe duket sikur dhëmbët e tyre janë shkulur, në mënyrë që personat që i stërvitin apo turistët, të mos dëmtohen nga kafshime të mundshme të tyre”.

Raporti, siç citon noa.al, tregon se si majmunët, tigrat dhe kafshë të tjera, lihen pa ushqim para spektaklit, në mënyrë që të mund të bëhen truket e shfaqjes.

Ishulli i Bali në Indonezi ka pësuar një rritje të numrit të turistëve, për shkak të natyrës dhe kafshëve të shumta që tërheqin shumë vëmendjen. /a.y/noa.al