Transmetuar më 24-05-2018, 10:53

Prokuroria e Durrësit ka dalë me deklaratë lidhur me vjedhjen e ndodhur në këtë institucion gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes.

Organi i akuzës i qytetit bregdetar thotë se në orën 06:30 të mëngjesit të kësaj të enjteje, nga ana e punonjësve të Prokurorisë së Durrësit është konstatuar se në ambientet e Prokurorisë, persona të paidentifikuar, me sende të forta kanë hapur derën e Zyrës së Serverit.

Ata kanë dëmtuar dhe marrë pajisje elektronike që regjistrojnë kamerat e sigurisë, etj.

“Po kështu është konstatuar se këta persona kanë hapur me forcë edhe zyrën e një prokurori dhe një zyre të oficerëve të policisë gjyqësore. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të natës kur godina e Prokurorisë ruhej nga punonjësit e Policisë Private”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Durrësit.

Po ashtu bëhet me dije se lidhur me rastin është regjistruar procedimi penal për nenet 293/c/2 dhe 313/a dhe 333/a dhe 334 i Kodit Penal dhe po kryhen veprime intensive nga grupi hetimor në lidhje me përcaktimin e faktit dhe identifikimin e autorëve të veprës.

Kujtojmë se ishte pastruesja, ajo që kur hapi derën e Prokurorisë, konstatoi vjedhjen duke lajmëruar policinë.

Nga konstatimet paraprake, rezulton se janë marrë disa dokumente hetimore.

Dëmi më i madh është bërë në zyrën e prokurorit Afrim Shehut, ku janë marrë disa materiale dhe dokumente.

Shehu është prokuror i Task Forcës së organit të akuzës së qytetit bregdetar.

Aktualisht po bëhet bilanci për të zbuluar dokumentet që mungojnë. Mësohet se prokurori Shehu është i përfshirë në hetimet e zyrtarëve që janë të përfshirë në abuzim me detyrën dhe korrupsion. /a.y/noa.al

Vjedhja gjatë natës, si hynë hajdutët në Prokurorinë e Durrësit

Vjedhja e Prokurorisë së Durrësit, zbulohet zyra e cilit prokuror ishte në shënjestër

Vjedhje gjatë natës në Prokurorinë e Durrësit, merren materialet e prokurorëve