Transmetuar më 24-05-2018, 11:02

Vjen për vizitë zyrtare në Tiranë, Florian Hahn, zëdhënës për Europën në grupin parlamentar të CSU në Bundestag.

Hahn pati takime me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e opozitës Lulzim Basha, ish- ministren Majlinda Bregu, e zgjedhur në krye të Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, si dhe me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Kjo vizitë erdhi vetëm dy ditë para protestës së opozitës, ndërsa ajo ishte e planifikuar gjatë kohës kur ish- ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit.

"Kënaqësi të takoja sot Florian Hahn. Negociatat jo për politikën, por për shqiptarët", shkruan Monika Kryemadhi.

Kujtojmë që të shtunën vjen në Tiranë edhe zëvendës/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Pete Marocco.

Ai merr pjesë në konferencën ndërkombëtare me përfaqësues të lartë nga vende të Europës Juglindore dhe të rajonit për problematikën e sigurisë rajonale dhe ekstremizmit të dhunshëm. Konferenca organizohet nga një grup deputetësh të Parlamentit shqiptar të majtë e të djathtë.

Ndërsa është planifikuar edhe një vizitë e delegacionit të Asamblesë parlamentare të OSBE-së./m.sh/noa.al/