Transmetuar më 24-05-2018, 11:53

“Shqipëria është i vetmi rast në historinë e integrimit, ku nuk ka konsensus dhe unitet kombëtar në komunikimin me të huajt, por ka një opozitë që nuk lë gur pa lëvizur për ta shkatërruar procesin e çeljes së negociatave”.

Kështu tha Kryeministri Edi Rama në seancën e sotme parlamentare, ku deklaroi se sot është hera e parë që një parti demokratike braktis seancën kur bëhet fjalë për një rezolutë me interes kombëtar, duke iu referuar projekt-rezolutës mbi raportin e KE për Shqipërinë.

Ai shtoi se, sot jemi në metrat e fundit të një rruge shumë të gjatë dhe kur parlamenti ka detyrë të bëjë përpjekjen e vetë për të votuar një rezolutë e cila nuk është e njëanshme, por shprehje e vullnetit të gjithë qytetarëve shqiptarë, pikërisht sot, ndodh ajo që nuk ka ndodhur kurrë.

Rama tha se PD bën atë që se ka bërë kurrë as vetë ajo, akt për tu bërë me dije gjithë vendeve të Parlamentit Europian, se parlamenti i Shqipërisë kërkon njëzëri çeljen e negociatave.

Por ai tha se, duke u votuar vetëm nga mazhoranca, rezoluta kthehet në një tjetër problem në përpjekjen për të bindur të gjitha vendet anëtarë të Bashkimit Europian, sepse është e njëanshme dhe cilido që është kundër çeljes së negociatave me Shqipërinë, sepse është kundër vizionit për zgjerimit të BE.

Rama deklaroi se këtë rezolutë mund ta kenë një arsye më shumë për të trokitur në dyert e atyre territoreve dhe për tu thënë të tjerëve, se parlamenti i Shqipërisë nuk është unanim për çeljen e negociatave, pasi opozita nuk ka marrë pjesë.

“Në Berlin, Paris apo Hagë, këta lloj individësh nuk lënë argument pa shpjeguar dhe kështu gjithë procesi i përpjekjes sonë shumë të vështirë për të bindur që në fund të qershorit të na japin atë që meritojnë, shoqërohet me një proces pararendës nga Shqipëria, që të mos i japin Shqipërisë atë që meriton”, deklaroi Edi Rama.

Sipas tij, duke u çelur negociatat mbaron përfundimisht historia e pandëshkueshmërisë dhe kësaj opozita i druhet. /a.y/noa.al