Transmetuar më 24-05-2018, 12:43

Kryeministri Edi Rama publikon projektin e transforimit të landfillit të Sharrës.

Kreu i ekzekutivit shkruan se ky është një model i përdorur në Bashkimin Evropian dhe se do të sjellë prodhim energjie nga mbetjet që nuk do të ketë impakt negativ në ambient.

"A ju kujtohet Sharra e maleve me plehra e zjarre, retë e helmeve mbi tërë zonën e Kombinatit dhe ujrat e helmuar prej degradimit nën diell e nën shi të mijëra tonelatave mbetje në mëshirën e fatit?! Shikojeni se si po fitohet beteja për Shqiperinë e pastër Europiane, mu në zemrën e vendit tonë, përmes një modeli të ri standardesh të Bashkimit Europian mbledhjeje, përpunimi e prodhimi energjie nga mbetjet me zero impakt negativ për ajrin e shëndetin", shkruan Rama.

Sipas tij me këtë projekt që së shpejti do të vihet në zbatim, do tu jepet fund makthit të mbetjeve në gjithë Shqipërinë, duke u dhënë një përgjigje edhe akuzave në lidhje me inceneratorët.

"Dhe gjykojini vetë lumenjtë e baltës së shpifjeve e të akuzave, që vazhdojnë kundër nismave tona në këtë drejtim ku për çerekshekuli nuk u bë asgjë!

Kjo që shihni është një video e projektit, që tanimë po realizohet në Sharrë dhe jo thjesht një projekt në kompjuter.

Duke ju garantuar se kështu do ta zhbëjmë mallkimin e plehrave jo vetëm në Tiranë, Elbasan e Fier, po edhe së shpejti në Durrës e më tej në gjithë Shqipërinë, ju ftoj të gjithëve të mos dëgjoni zhurmën e kënetave politike e mediatike ku gëlojnë njëmijë e një të zezat kundër këtyre projekteve kaq të dobishme për mjedisin e shëndetin, po thjesht t’u besoni syve tuaj dhe fakteve kokëforta të dobisë së jashtëzakonshme të këtyre nismave, për Shqipërinë e pastër Europiane që duam për femijët tanë", thekson Rama./m.sh/noa.al/