Transmetuar më 24-05-2018, 14:31

Partia Demokratike ka dorëzuar sot kërkesën për të protestuar ditën e shtunë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kërkesa është dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, dhe është parashikuar që të nisë në orën 11:00.

E veçanta e kësaj kërkesë është se në të nuk është shkruar se sa do të zgjasë tubimi i Partisë Demokratike, çka lë të kuptosh se pritet të jetë një protestë e gjatë.

Demokratët kanë ftuar qytetarët që të bashkohen të shtunën e 26 majit, në atë që e quajnë përballje me shtetin e kriminalizuar.

Reagimi i opozitës vjen në një kohë kur akuzat për vëllain e ministrit të Brendshëm, dhe vetë Fatmir Xhafës, kanë marrë përmasa të mëdha.

Prej disa javësh seancat e Parlamentit nuk zhvillohen në normalitet, me opozitën që kërkon largimin e ministrit të Brendshëm.

Ndërkohë, mazhoranca vijon t’i qëndrojë bindjes se kjo histori është një sajesë e Partisë Demokratike për të shantazhuar qeverinë. /k.k/noa.al/