Transmetuar më 24-05-2018, 15:11

Element domethënës se shteti është kapur nga krimi, e ka quajtur Enkeled Alibeaj vjedhjen  në Prokurorinë e Durrësit.

Në një dalje për mediat sot, deputeti demokrati tha se grabitja e serverit ka ardhur pas denoncimeve të PD-së, dhe mbledhjes së të dhënave që vërtetojnë lidhjen e krimit me qeverinë.

“Krimi, që ka kapur shtetin e Edi Ramës, ka bërë një tjetër goditje sot. Ia ka arritur të bastisë mu në zemër edhe vetë organit të akuzës që supozohet të luftojë atë, krimin pa mëshirë.

Në Prokurorinë e Durrësit është grabitur serveri i të dhënave të çëshjteve penale. Pikërisht në Prokurorinë e Durrësit pas denoncimit të opozitës, janë mbledhur të dhëna hetimore për disa çështje më të rënda të krimit dhe korrupsionit të qeveritarëve. Ky akt i ka trimëruar banditët e lidhur me pushtetin”, tha Alibeaj.

Ai solli në vëmendje edhe arratisjen nga gjykata e Vlorës të një të riu të sapo dënuar.

“Dje një i dënuar dhe me rrezikshmëri të lartë largohet i pashqetësuar nga salla e gjyqit. Të gjitha këto janë pasojë e kapjes së shtetit nga krimi. Një shteti i shpartalluar që mbron kriminelët dhe dënon njerëzit e thjeshtë”, tha Alibeaj, duke përfunduar me thirrjen për qytetarët që të bashkohen në protestën e së shtunës. /k.k/noa.al/