Transmetuar më 24-05-2018, 20:18

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti sot në takim Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Roberto Montella, me të cilët diskutoi çështje që kanë te bëjnë me forcimin e sigurisë dhe bashkëpunimit midis vendeve anëtare të OSBE, me diplomacinë parlamentare, reformën zgjedhore në Shqipëri, bashkëpunimin rajonal.

“Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, George Tsereteli, dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Roberto Montella, vlerësuan rolin dhe kontributin që Shqipëria jep në proceset e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në kuadër të OSBE”, thuhet ne njoftimin per shtyp te MEPJ.

Tsereteli vlerësoi reformat e thella të ndërmarra nga Shqipëria si në fushën e drejtësisë, zhvillimit ekonomik të vendit, të një qeverisje të mirë, por edhe në reformën zgjedhore, luftën kundër fenomeneve që pengojnë progresin, si korrupsioni etj.

Ai tha se “të gjitha forcat politike në Shqipëri duhet të angazhohen sa më shumë në nxitjen e progresit të vendit, në realizim të objektivit për hapjen e negociatave me BE”.

Ndërkohë ministri Bushati foli në vijim për rolin e rëndësishëm që Asambleja Parlamentare e OSBE luan për përballimin e sfidave me të cilat ndeshet kjo organizate, si me çështje të luftës kundër terrorizimit, ekstremizmit të dhunshëm, zgjidhjes së konfliktit në dhe rreth Ukrainës apo në vende të tjera ku ka konflikte të ngrira, për të cilat Shqipëria ka dhënë dhe jep kontributin e saj.

“Nëpërmjet delegacionit të saj parlamentar në OSBE, Shqipëria ka kontribuar dhe do të vazhdojë të kontribuojë për ruajtjen dhe forcimin e paqes në rajonin e Ballkanit, nxitjen e bashkëpunimit rajonal, nëpërmjet pjesëmarrjes dhe kontributit të të gjitha vendeve të rajonit. Duke iu referuar procesit te anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Ministri Bushati vuri ne dukje se Shqipëria ka marrë tashmë një rekomandim të pakushtëzuar nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave me BE, bazuar në progresin e bërë dhe pret tashmë edhe vendimin e Këshillit për formalizimin e tij”, vijon njoftimi i MEPJ./a.m./noa.al/