Transmetuar më 24-05-2018, 20:41

Opozita shqiptare e bojkotoi sot votimin e një rezolute të posaçme të Parlamenti, për të nxitur procesin e çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian.

Të 140 deputetët e Kuvendit u ftuan të votojnë për miratimin e projektrezolutës “Për rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë”.

Në votim, sikundër shikoni të detajuar këtu, votuan pro 73 deputetë, mes tyre tre të PDIU dhe Tom Doshi i PSD.

Në procesin e votimit mungonin gjashtë deputetë të PS, përfshirë ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

REZOLUTA E PLOTE

Bojkotin e opozitës, kryeministri Edi Rama e cilësoi si të papranueshëm. “Shqipëria është i vetmi rast në historinë e integrimit, ku nuk ka konsensus dhe unitet kombëtar në komunikimin me të huajt, por ka një opozitë që nuk lë gur pa lëvizur për ta shkatërruar procesin e çeljes së negociatave”, – u shpreh ai në seancën e sotme parlamentare.

Kurse shtoi: “Sot është hera e parë që një parti demokratike braktis seancën kur bëhet fjalë për një rezolutë me interes kombëtar, duke iu referuar projekt-rezolutës mbi raportin e KE për Shqipërinë”.

“Sot jemi në metrat e fundit të një rruge shumë të gjatë dhe kur parlamenti ka detyrë të bëjë përpjekjen e vetë për të votuar një rezolutë e cila nuk është e njëanshme, por shprehje e vullnetit të gjithë qytetarëve shqiptarë, pikërisht sot, ndodh ajo që nuk ka ndodhur kurrë”, – vijoi kryeministri.

Rama pranoi se duke u votuar vetëm nga mazhoranca, rezoluta kthehet në një tjetër problem në përpjekjen për të bindur të gjitha vendet anëtarë të Bashkimit Europian, sepse është e njëanshme.

LEXONI DHE: Rama: Shqipëria i vetmi rast, ku nuk ka unitet për çeljen e negociatave

Ndërsa lideri opozitar, Lulzim Basha, paralajmëroi se në qershor nuk do të ketë hapje negociatash, duke sugjeruar se këtë informacion edhe Rama e ka të qartë:

“Negociatat nuk hapen, pa e ndarë qeverisjen nga krimi. Nuk hapen negociatat në një vend ku të pafajshmit përfundojnë në burg, por politikanët e të pushtetshmit ia hedhin paq. Nuk hapen negociatat Edi Rama, siç ta kanë thënë edhe mbrëmë, pa zgjedhje të lira dhe të ndershme! Nuk hapen negociatat kur qeveria dhe mazhoranca burojnë nga krimi dhe paratë e drogës dhe jo nga votat e ndershme të shqiptarëve. Ky është mesazhi i Brukselit, këtë ke dëgjuar për 5 vjet. Këtë ta thanë copë në sy në Sofje, këtë ta thanë fare qartë edhe mbrëmë miqtë tanë, që i duan të mirën Shqipërisë”.

Basha shtoi në foltoren e Kuvendit para se të kryhej votimi për rezolutën, se alternativa është bashkimi rreth opozitës:

“Prej 5 vitesh pushteti i socialistëve i është lënë kriminelëve. As opozita, as BE, as Holanda, as Macroni, as Merkeli, as Krishbaum nuk janë pengesa. Edi Rama, ti je pengesa. Fatmir Xhafaj është pengesa. Ndaj, ftoj të gjithë shqiptarët pa dallim: Bashkohuni me qindra mijëra protestuesit ditën e shtunë, më 26 maj! Ta çlirojmë Shqipërinë nga qeveria e lidhur me krimin. Ta çlirojmë Shqipërinë nga qeveria më antieuropiane. Ta bëjmë realitet ëndrrën tonë Për Shqipërinë si gjithë Europa!” /noa.al/