Transmetuar më 24-05-2018, 23:14

Gazetari Jetmir Olldashi, i cili intervistoi dëshmitarin X, Albert Veliu, të audio-përgjimit të publikuar nga Partia Demokratike, në “Të Paekspozuarit” i dha përgjigje shumë pyetjeve.

Ai tha se kishte udhëtuar drejt Vlorës, pas një sinjalizimi që kishte marrë për trafik kanabisi, dhe se në këtë trafik kishte shumë personazhe publikë.

Po kështu, gazetari ka zbuluar edhe pse këtë material e kishte dorëzuar tek PD-ja.

Ai vuri në dukje se ishte një material, të cilën e mbante prej disa muajsh.

“Kam udhëtuar drejt Vlorës, pas një sinjalizimi që kisha për trafik kanabisi. Sipas burimeve të mia, në këtë trafik ishin përfshirë shumë personazhe publik, dhe të afërm të tyre. Shkova në lokalin e Agron Xhafajt, por ai nuk ishte në lokal. Edhe trafikantët që ne takuam, kishin përshtypjen që burimi kishte njohje me ta. Më pas ishte një tentativë për të zbuluar burimin e kanabisit”, i është përgjigjur Olldashi pyetjes së moderatorit.

Ai ka vijuar më tej duke thënë:

“Unë e kam bërë publike regjistrimin. I kam dhënë mjetin përgjues Albert Veliut. Ai është ngjitur në lokal dhe ka biseduar. Unë nuk u ngjita sërish, sepse mendoja se isha i rrezikuar”./a.k/noa.al/