Transmetuar më 25-05-2018, 08:58

Dy persona janë ndaluar nga policia e Durrësit, si të dyshuar për vjedhjen në Prokurorinë e këtij qyteti.

Ndalimi i tyre është bërë me urdhër të Prokurorisë, pasi dyshohet të jenë autorët që dëmtuan serverin qendror të organit të akuzës dhe morën një sërë dokumentesh hetimore të prokurorit Afrim Shehu dhe të një oficeri të policisë gjyqësore.

Mes dokumenteve, janë edhe materiale të dosjes hetimore për tjetërsimin e pronave në zonën e Ishmit.

Por identiteti i të dyshuarve nuk është bërë me dije, ndërkohë që hetimet janë në vijim. Mësohet se njëri prej tyre është nga Sukthi dhe tjetri nga Durrësi.

Gjithashtu në polici janë shoqëruar edhe dy rojet e policisë private të cilët kishin për detyrë sigurinë e Prokurorisë së Durrësit, e cila u vodh gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes.

Në orën 06:30 të mëngjesit të kësaj të enjteje, nga ana e punonjësve të Prokurorisë së Durrësit është konstatuar se në ambientet e Prokurorisë, persona të paidentifikuar, me sende të forta kanë hapur derën e Zyrës së Serverit.

Ata kanë dëmtuar dhe marrë pajisje elektronike që regjistrojnë kamerat e sigurisë, etj.

“Po kështu është konstatuar se këta persona kanë hapur me forcë edhe zyrën e një prokurori dhe një zyre të oficerëve të policisë gjyqësore. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të natës kur godina e Prokurorisë ruhej nga punonjësit e policisë private”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Durrësit.

Kujtojmë se ishte pastruesja, ajo që kur hapi derën e Prokurorisë, konstatoi vjedhjen duke lajmëruar policinë.

Nga konstatimet paraprake, rezulton se janë marrë disa dokumente hetimore.

Dëmi më i madh është bërë në zyrën e prokurorit Afrim Shehut, ku janë marrë disa materiale dhe dokumente.

Shehu është prokuror i Task Forcës së organit të akuzës së qytetit bregdetar.

Aktualisht po bëhet bilanci për të zbuluar dokumentet që mungojnë. Mësohet se prokurori Shehu është i përfshirë në hetimet e zyrtarëve që janë të përfshirë në abuzim me detyrën dhe korrupsion. /a.y/noa.al

Ishte e paralajmëruar vjedhja në Prokurorinë e Durrësit? Ja ç’ndodhi 1 javë më parë

Vjedhja në Prokurorinë e Durrësit, shoqërohen dy rojet e policisë private

Vjedhja gjatë natës, Prokuroria e Durrësit zbulon çfarë u mor

Vjedhja gjatë natës, si hynë hajdutët në Prokurorinë e Durrësit

Vjedhja e Prokurorisë së Durrësit, zbulohet zyra e cilit prokuror ishte në shënjestër

Vjedhje gjatë natës në Prokurorinë e Durrësit, merren materialet e prokurorëve